E Diel, 1 Nëntor 2026

Lahet në pishinë, humb jetën fëmija 10-vjeçar

DURRËS Një fëmijë i moshës 10-vjeçare ka humbur jetën teksa lahej në pishinë bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij. Denis Muça, banor i Shijakut, ka qenë duke u larë në një pishinë që ndodhet në një kompleks në fshatin Sallmone të Shijakut. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11.30, gjatë kohës që fëmija ishte futur në pishinë për t’u larë. Në pishinë kanë qenë shumë fëmijë të kësaj moshe, të cilët në fakt kanë qenë në survejimin e një kujdestari. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se fëmijët gjendeshin në pishinë në kuadrin e një grumbullimi veror, pas përfundimit të shkollës. Ata janë banorë të zonës së Shijakut dhe dita e djeshme e kampit veror të fëmijëve ka qenë e planifikuar për të kaluar disa orë në pishinën e kompleksit që gjendet në fshatin Sallmone. Nuk dihet akoma se çfarë e ka shkaktuar mbytjen e fëmijës Denis Muça, hyrja e menjëhershme në ujin e ftohtë, apo mbytja ka ardhur ngaqë ai nuk ka ditur not. Gjithsesi në vendin e ngjarjes ka mbërritur shumë shpejt një nga fuoristradat patrulluese të policisë kufitare, e cila e ka dërguar me shpejtësi fëmijën në spitalin e Durrësit, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij para se ai të mbërrinte në urgjencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›