E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në "supermarketin" e organeve

I quajnë "Njoftime urgjente dhe speciale". Është kufiri i fundit i tregtisë, ku njerëzit shesin veten kokë e këmbë, ose të ndarë në copa: veshka, pjesë të mëlçisë, palcë kurrizore etj. Që kur kriza ekonomike ka hyrë në një fazë më kritike, qindra njoftime shokuese kanë mbushur faqet e internetit, të specializuara në lajmërime falas, duke i detyruar administratorët të krijojnë një sektor të veçantë.

Numri i këtyre personave është jashtëzakonisht i lartë. Ka meshkuj dhe femra rreth të 40-ve, të cilët janë detyruar të kryejnë gjeste ekstreme për të mos u fundosur në borxhe: persona që nuk kanë një punë, janë të degraduar dhe të pasiguruar. Mjafton të hedhësh një sy dhe t‘i përgjigjesh ndonjë njoftimi për ta kuptuar më në thelb problemin. Të gjitha njoftimet janë njësoj: të dhënat personale, takimet, kërkesat ekonomike. Janë të gjitha njoftime të vërteta. Asnjë nuk pëlqen të bëjë shaka. "Jam një 45-vjeçar. Dikur kam qenë biznesmen. Aktiviteti im nuk eci ashtu siç unë e parashikova dhe prej dy vjetësh kam humbur gjithçka. Në këtë periudhë situata është përkeqësuar. Për të shpëtuar familjen time (gruan dhe dy fëmijët) nga varfëria dhe dëshpërimi ku jemi zhytur, ofroj një veshkë ose palcën. Grupin e gjakut e kam B me rezus pozitiv. E gjithë kjo vlen 300 mijë euro. Më vjen keq që kërkoj para, sepse asnjëherë në jetë nuk u kam dhënë rëndësi, madje gjithmonë i kam ndihmuar të tjerët sa kam pasur mundësi. Nëse dikush do t‘i përgjigjet thirrjes sime, do t‘i jem mirënjohës për gjithë jetën".

"Jam një baba që kam mbetur debitor në banka për të ndihmuar fëmijët e mi dhe më e keqja është se gruaja ime duhet të kryente një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, e si pasojë nuk mund të punojë për të ndihmuar familjen. Bankave nuk mund t‘u drejtohem. Jam i dëshpëruar, sepse nuk kam më asnjë qindarkë dhe nëse nuk shlyej borxhin që u kam bankave, do të më konfiskojnë shtëpinë. Jam i gatshëm të dhuroj organet e trupit tim, veshkën ose mëlçinë", thotë një 58-vjeçar.

Por ka edhe nga ata që nuk kanë asgjë për të ofruar, por kërkojnë një ndihmë, duke iu rrëfyer një zemre të mirë që nuk ekziston. E tillë është Meri. "Jam 54 vjeçe. Është kaq e vështirë për mua ta bëj këtë njoftim dhe të shpreh gjithë dhimbjen që më ka sjellë kjo situatë. Për shumë arsye m‘u desh të afrohesha me njerëz të këqij. Deri më tani kam arritur të paguaj gjithçka, sepse kam shitur çdo gjë timen. Financimet e vogla nuk më mjaftojnë. Kam shumë frikë, kërkoj ndihmë, unë marr 200 deri në 250 euro në muaj. Ju lutem më ndihmoni të dal nga ky ferr. Më duhen edhe 12 mijë euro. Ju lutem më ndihmoni, se më kanë mbetur dhe pak ditë".

Duke lexuar këto njoftime, vërehet se "të dëshpëruarit" e kanë me nxitim mbylljen e biznesit. Dikush, sikur të bëhej fjalë për ndonjë kalë, garanton "cilësinë" e produktit, duke nxjerrë online kartën e identitetit, kartelat mjekësore dhe analizat e gjakut. Të tjerë tregojnë jetën e tyre të shëndetshme, për të bindur blerësin: "E kam nisur sportin që në moshën 10-vjeçare. Stërvitem çdo ditë, nuk pi duhan, nuk konsumoj alkool dhe nuk kam vuajtur kurrë më parë nga ndonjë sëmundje e rëndë. Sapo të më shohësh, do ta kuptosh se me të vërtetë vlej. Dua 120 mijë euro për një veshkë ose copëz mëlçie", thotë nga ana tjetër e receptorit një ish-biznesmen 41 vjeç.

Për të hequr qafe fajdexhinjtë ose shoqëritë e mbledhjes së borxheve, janë të gatshëm të udhëtojnë drejt Rumanisë ose Bullgarisë, ku në disa klinika private kryhen transplante organesh, për të shmangur të gjitha burokracitë që e bëjnë të pamundur operacionin në disa vende të Europës Perëndimore.

"Një miku im bëri një operacion të tillë para disa muajsh", thotë përmes telefonit një djalosh rumun. "Fitoi 65 mijë euro vetëm me një ndërhyrje. Është shumë mirë. Tani po jeton në Rumani. Zgjidhi problemet e tij e i shpëtoi jetën edhe një njeriu tjetër. Tani dëshiron ta bëjë edhe motra ime, sepse jeton në një shtet tjetër dhe për të ardhur pranë nesh i nevojiten 65 mijë euro".

Ndoshta jo të gjithë e dinë se ç‘po bëjnë. Askush nuk e kupton se transplanti mercenar, kështu quhet, përveçse është një praktikë e jashtëligjshme, është edhe shumë i vështirë për t‘u realizuar.

"Këta zotërinj janë kaq të papërgjegjshëm, sa nuk e kuptojnë gabimin e madh që bëjnë. Të ofrosh palcën kurrizore është krejtësisht e pavlefshme, sepse mundësitë që të ketë një pajtueshmëri mes dhuruesit dhe marrësit janë vërtet të largëta. Për sa i përket dhurimit të organeve në këmbim të parave, kjo po që është e mundur. Ligji parashikon që dhurimi i organeve të arrihet në mënyrë të ndershme dhe për këtë ka parapërgatitur një sistem kontrolli mjaft efikas, i cili parashikon ndër të tjera kalimin e disa testeve psikologjike, ndërsa fjala e fundit i përket një gjykatësi. Gjithsesi, fenomeni i shitjes së organeve është një risi, me siguri në rritje, dhe arsyet lidhen me krizën ekonomike që ka përfshirë të gjithë botën", shpjegon një doktor.

Mënyra e vetme për të kryer një transplant është dalja jashtë shtetit. Vetëm në këtë rast transplanti mercenar mund të bëhet, edhe pse rreziqet janë të mëdha. Në grupin e "Njoftimeve urgjente" rreziqet janë të llogaritura. Për shembull, Rene shet një veshkë. Është 36 vjeç, gjeometër, ka dy familje për të mbajtur dhe një kompani të falimentuar. Ja çfarë u thotë ai blerësve: "E di që është e rrezikshme dhe e jashtëligjshme, por nuk më intereson. Më kanë thënë se ka disa klinika private në Bukuresht, ku këto ndërhyrje kanë shumë sukses. Do të shkoj atje. Ose shkojmë ku të doni ju, vetëm t‘i japim fund kësaj pune. Ato para më duhen për të mos humbur shtëpinë".

Biznesi i së ardhmes është trafiku i organeve. Mjaftojnë disa mjekë e një klinikë, dhe nga një person i vetëm mund të marrësh një sërë organesh. Në botë ka njerëz me shumë para, të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë pafund vetëm për t‘iu rikthyer jetës normale me një organ të ri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›