E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shkarkuarit, KLD: Respektojmë vendimin e Gjykatës së Lartë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i "bindet" Gjykatës së Lartë për rikthimin në detyrë të tre gjyqtarëve të Apelit Vlorë, të shkarkuar disa vite me parë për shkelje në detyrë. Burime nga KLD-ja thanë se respektojnë vendimin e Kolegjeve të Bashkuara, i cili vendosi që Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari të rikthehen në detyrë, megjithëse ndaj tyre ishte vendosur shkarkim nga detyra, pas inspektimit në gjykatën ku bënin pjesë. Tashmë, emërimi i tre gjyqtarëve të Apelit të Vlorës, të cilët u shkarkuan nga KLD-ja dhe u rikthyen në detyrë dy ditë më parë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, është në "dorën" e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari, sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, janë në dispozicion dhe do të thirren në detyrë në rast se krijohen vende bosh në gjykata. Megjithatë, ata do të trajtohen ekonomikisht sikur të ishin në detyrë. Burime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë thanë dje për gazetën se respektojnë vendimin e Kolegjeve të Bashkuara, megjithëse vendimi i KLD-së ishte për shkarkimin e tre gjyqtarëve. Këshilli deklaron se nuk do të ketë tolerancë ndaj gjyqtarëve të korruptuar dhe do të merren të gjitha masat ndëshkuese, deri në hartimin ndaj tyre të padive penale.

Precedentët
Vendimi i ditës së martë nga Kolegjet e Bashkuara në Gjykatën e Lartë është një precedent edhe për gjyqtarët e tjerë që kanë kundërshtuar vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e tyre. Burime nga Gjykata Supreme thanë se në këtë gjykatë, janë në proces gjyqësor disa çështje të ngjashme me procesin ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Mësohet se janë rreth shtatë gjyqtarë të tjerë që kanë kundërshtuar KLD-në për shkarkimin e tyre. Ata mund të përdorin si precedent vendimin e fundit të gjykatës, që i dha të drejtë Gabës, Ngresit dhe Hanxharit për rikthimin në detyrë. Në këtë rast, do të kishim një numër të madh gjyqtarësh të shkarkuar e të rikthyer në punë, të cilët nuk mund të mbanin mbi shpatulla "akuzat" e KLD-së, por do të konkurronin si të barabartë për një vend gjyqtari në të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë, pasi Gjykata Supreme u ka falur "mëkatet".

Vendimi

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shqyrtuan dy ditë më parë njëri pas tjetrit ankimet e tre ish-gjykatësve të Apelit të Vlorës, të shkarkuar nga KLD-ja në fillim të vitit të kaluar, pasi u gjetën me shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, duke cenuar rëndë imazhin e gjyqtarit. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, tha se çështjet për të tre gjykatësit do të shqyrtoheshin nga fillimi për faktin se një pjesë e mirë e gjykatësve të këtij institucioni ishin ndryshuar dhe nuk kishin informacion për procedimet disiplinore të tre ish-gjykatësve të Apelit Vlorë. Gjykatësi Fatos Lulo, relator i kësaj çështjeje, pohoi se sipas KLD-së, Gaba akuzohej të kishte shpallur një vendim gjyqësor fiktiv më 23 dhjetor 2005, në kohën kur gjykatësi Vasil Hanxhari ka qenë në Maqedoni dhe jo i pranishëm në Gjykatën e Apelit Vlorë. Më tej, gjykatësi Lulo pohoi se Gaba ka marrë pjesë dy herë në gjykimin e një çështjeje civile në Apelin e Vlorës. Në bazë të këtyre shkeljeve, sipas tij, KLD-ja e kishte shkarkuar Gabën nga detyra e gjykatëses dhe për pasojë humbte edhe postin e kryetares së Apelit Vlorë. Avokati i Gabës mbrojti klientin, duke deklaruar se shkarkimi ishte i padrejtë. Përfaqësuesit e KLD-së pohuan se vendimi i marrë nga ky institucion më 31 janar 2008 duhet të mbetej në fuqi. Ata iu përgjigjën gjyqtarëve se Këshilli ishte bindur se Gaba kishte kryer shkelje dhe e kishte shkarkuar nga detyra, dhe se kjo gjë kishte ndodhur shumë kohë para se ajo të denoncohej në prokurori nga ministri i Drejtësisë. Pas çështjes së Gabës, Kolegjet e Bashkuara shqyrtuan edhe ankesat e dy gjyqtarëve të tjerë, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, duke vendosur pas këshillimit për prishjen e vendimeve të KLD-së për shkarkimin e tyre dhe rikthimin sërish në radhët e togave të zeza. Por, vendimi i dy ditëve më parë, mund t‘i hapë rrugë shpalljes të "pafajshëm" të gjyqtarëve të shkarkuar nga KLD-ja, të cilët, për hir të së vërtetës, janë të shumtë pas vitit 2005, kohë kur filloi një riorganizim i sistemit gjyqësor.

Inspektimi: Gjyqtarët abuzuan me detyrën

Më 31 janar të vitit të kaluar, inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, hartuan një raport me abuzimet e Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku ishin konstatuar dhjetëra parregullsi dhe në "sitë" ishin tre gjyqtarët Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari. Tre gjyqtarët u denoncuan nëpërmjet ankesave dhe letrave të shumta të qytetarëve. Ata u gjetën me shkelje të rënda edhe nga një kontroll i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë gjatë qershorit 2006. Veç të tjerash, inspektorët zbuluan në Gjykatën e Apelit të Vlorës shkelje flagrante të ligjit dhe abuzime me dosjet civile e penale të shqyrtuara në këtë institucion. Një nga rastet ekstreme të abuzimeve ishte falsifikimi i një vendimi gjyqësor në emër të gjykatësit Vasil Hanxhari, kur është provuar se ky ditën e shpalljes së vendimit ka qenë në Maqedoni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›