E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet bosi i "Ndrangheta", bënte pushime në Vlorë

VLORE-Policia e Bolonjës në bashkëpunim me efek tivë të operacioneve speciale në policinë e Vlorës dje vunë në pranga një shtetas italian, i cili pohohet të jetë një prej personave kyç në organizatën kriminale "Ndrangheta". Bëhet fjalë për Guiseppe Simonellin, i cili bënte pjesë në listën e të shumkërkuarve të Interpolit. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut të Vlorës si dhe nga policia e vendit fqinj pohojnë se 32-vjeçari, lindur dhe banues në Tropea të Italisë akuzohet për "trafik ndërkombëtar të drogës, kryer në bashkëpunim" dhe konkretisht mes Italisë dhe Amerikës Qëndrore dhe Jugore. Vënia në pranga e Simonellit e çon në 16 numrin e personave të arrestuar për trafik droge.
OPERACIONI
Rreth orës 15:00, forcat policore të dy vendeve fqinje në kuadër të operacionit të koduar "DUE TORRI CONECTION" mësynë në plazhin e Jonufrës, duke vënë në pranga 32-vjeçarin italian, Guiseppe Simonelli. Fillimisht, efektivët (të veshur civilë) kanë rrethuar çadrën ku italiani i shumkërkuar qëndronte në buzë të detit së bashku me dy miq të tij; një shqiptar dhe një italian. Mësohet se në momentin e arrestimit, Simonelli ka bërë të habiturin duke u shprehur, se autoritetet policore e kishin ngatërruar me ndonjë person tjetër dhe se gjendej në Vlorë për pushime.
HETIMET
Sipas burimeve policore, 32-vjeçari nga Italia ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli më dt. 04.08.2011, i dyshuar si anëtar i një organizate kriminale që ka patur si qëllim trafikimin e sasive të mëdha (1500 kg) të lëndëve narkotike si kokaina, trafik të cilin dyshohet se e realizonte nga vendet e Amerikës Qëndrore dhe Jugore (Kolumbi, Ekuador etj) drejt Italisë. Burimet e mësipërme sqarojnë se Guiseppe Simonelli ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 31.07.2011 dhe është mbajtur në vëzhgim nga seksioni i luftës kundër narkotikëve. Dy personat që e shoqëronin kalabrezin e njohur me nofkën "Paco"; një shqiptar dhe një italian janë lënë të lirë pasi nuk ka pasur asnjë urdhër ndalimi për ta. Policia deklaron se tashmë është në pritje të ekstradimit të tij në drejtim të Italisë, ndërsa në shtetin shqiptar nuk ka asnjë hetim kundër tij. Ndërkaq, mediat italiane bëjnë të ditur se prokuroria italiane kishte nisur hetimet që prej një viti për rrjetin e drogës (pjesë e klanit Mancuso) ku dyshohet se bën pjesë Simonelli. Dy ditë më parë u raportua se u prangosën 12 anëtarë të këtij rrjeti dhe se dje me arrestimin e Simonellit e tre të të tjerëve (emrat nuk bëhen të ditur), numri arriti në 16të. Arrestimet janë komunikuar për mediat e vendit fqinj nga prokurorët Roberto Alfonso dhe Enrico Cieri.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›