E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Xubi” pranon vrasjen e emigrantit, zhytësit e RENEA-s kërkojnë armën

 

TIRANE - Dëshmia në polici e Fatmir Avdillarit, të akuzuar për vrasjen e emigrantit Ardian Tahiri në Tiranë, ka bërë që policia dje të realizojë një operacion jo fort të zakontë. Zhytës dhe polumbarë të forcave speciale RENEA kanë kërkuar në lumin e Lanës armën me të cilën është realizuar vrasja e 11 prillit, por nuk kanë arritur ta gjejnë. Avdillari u ka thënë oficerëve të policisë se armën e kishte hedhur në lumë pas realizimit të vrasjes, por pistoleta ende nuk është gjetur. “Xubi” ka pranuar autorësinë e krimit, duke thëne së kishte marrë hakun e të vëllait, të cilin ishte i sigurt që ia kishte vrarë në Greqi 37-vjeçari Tahiri një vit më parë dhe më pas e ka djegur. “E kam ndjekur vetë Ardian Tahirin, që në momentin kur mora vesh se ishte kthyer nga Greqia dhe ndodhej në Tiranë. Nuk më ka ndihmuar askush. Një vit më parë më ka vrarë dhe më ka djegur vëllanë. Mora hak dhe e vrava. Armën e keni në Lanë”. Kjo ka qenë një pjesë e rrëfimit që ka bërë dje para oficerëve të policisë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Fatmir Avdillari, vetëm disa orë pasi u arrestua si i dyshuari kryesor i vrasjes së Ardian Tahirit. Ngjarja për të cilët ai akuzohet ndodhi rreth orës 23:30, të shtunën më 11 prill 2009, pranë një lokali në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”, tek Ura Teknologjike, në Tiranë. Ardian Tahiri u qëllua për vdekje, me një plumb të vetëm në kokë, ndërsa autori iku menjëherë nga vendi i ngjarjes. Për katër ditë ai ishte në kërkim, ndërsa të mërkurën policia realizoi arrestimin e tij. Hetimet iu referuan mundësisë se atentati i ndodhur në Tiranë mund të kishte lidhje me një vrasje të ndodhur në Greqi më 12 janar të vitit 2008. Sipas policisë, Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se emigranti Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin, i cili gjeti vdekjen në Athinë. Ai ishte ekzekutuar në janar të vitit 2008 në Greqi dhe më pas ishte djegur, në kohën kur vëllai i tij, Fatmir Avdillari ndodhej në burg. Sapo ka dalë nga burgu, Avdillari, i njohur me pseudonimin “Xubi” ka mbledhur të dhëna për vrasjen e vëllait dhe dyshimet e kanë çuar tek Ardian Tahiri, ndaj të cilit është hakmarrë, duke e vrarë mbrëmjen e të shtunës, sapo i dyshuari prej tij ishte kthyer nga Greqia. Tashmë gjithçka është përputhur me hetimet që kishte realizuar policia dhe Prokuroria e Tiranës, pasi i arrestuari ka pranuar gjithçka gjatë marrjes në pyetje, duke rrëfyer edhe historinë e hakmarrjes. Ndërkohë policia vazhdon të kërkojë armën me të cilën është realizuar vrasje, të cilën Avdillari pretendon se e ka hedhur në lumin e Lanës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›