Vrasja në Mat, pas kërcënimeve të viktimës
Vrasja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së martë në fshatin Baz të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Matit, dyshohet të ketë ardhur si shkak i xhelozisë ose kërkesës së vajzës për shkëputjen e lidhjes së fshehtë me viktimën. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, fshati Baz ishte më i heshtur se kurrë më parë. Por heshtjen e “thyen” vetë nënë Mara, e ëma e 27 vjeçares që qëlloi me 20 plumba mbi 40-vjeçarin Flamur Bruka, duke e lënë atë të vdekur në vend. “Djalin e kam emigrant në Greqi. Jetoj vetëm me vajzat këtu. Prej një muaji Flamuri gjuante me armë rreth shtëpisë sonë, gjë që e dinë edhe komshinjtë, duke na kërcënuar e frikësuar. Madje vetëm para pak ditëve më ka prishur edhe domatet e mbjella në kopsht, me shitjen e të cilave në Burrel përpiqem të fitoj ndonjë lek për të mbajtur frymën gjallë unë dhe dy vajzat e mia”, thotë Mara. Mësohet se veç Fatbardhës, me Marën jeton edhe vajza tjetër, së bashku me një fëmijë të saj, e cila prej një viti është e divorcuar. Ajo nuk ka qenë në shtëpi ditën e krimit. Nga burime të tërthorta merret vesh se sherri mes çiftit mund të ketë ardhur nga xhelozia për shkak të kërkesës së vajzës për shkëputjen e kësaj lidhjeje të fshehtë që kishte nisur katër vite më parë. Në fshat thonë se vajza mund të ketë menduar për t’u fejuar dhe ka kërkuar shkëputjen e lidhjes. Sipas këtyre burimeve, mësohet se ditën e ngjarjes së rëndë, Flamuri, shtëpia e të cilit ndodhet karshi asaj të autores së vrasjes, ka pikasur largimin e nënë Marës drejt Burrelit për të shitur domate dhe menjëherë i armatosur me armë zjarri kallashnikov, thikë dhe dylbi ka shkuar në shtëpinë e Fatbardhës, kur ajo ka qenë e vetme. Fatbardha Gjoni, 27 vjeçe, thuhet se ka dalë në sallonin e shtëpisë duke gjuajtur me armë drejt viktimës. Për t’iu shmangur plumbave, Fatmiri ka vrapuar drejt banjës që ndodhej jashtë, ngjitur me shtëpinë, por një nga 20 plumbat e derdhur në drejtim të tij e ka kapur në ballë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, sipas banorëve të zonës, që nuk duan të identifikohen, 40-vjeçari Flamur Bruka ka qenë problematik, pasi shpesh herë gjuante krejt pa shkak me armë zjarri, duke shkaktuar panik në fshat. Fatbardha Gjoni, 27 vjeçe, e arrestuar nga policia si e dyshuar për vrasjen e Flamurit, edhe dje nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria e Matit, pasi sipas burimeve nga kjo prokurori, ende nuk kanë ardhur pranë saj në rrugë zyrtare materialet e grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj vrasjeje. Ndërkohë, nga policia e Burrelit thonë se 27-vjeçarja nuk ka shprehur kurrfarë pendese për krimin dhe ka thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër për të mbrojtur veten.
#