E Diel, 1 Nëntor 2026

Muaji nëntor i favorshëm për vaksinimin nga gripi

 

AIDA MALAJ

Ditët e fundit ka nisur sensibilizimi për vaksinimin kundër gripit. Duket se temperaturat e larta kanë ndikuar në “shtyrjen” e epidemisë për më vonë, dhe për mjekët periudha e tanishme është më e favorshmja për kryerjen e vaksinimit.
Por sa arrin të mbrojë kjo vaksinë, cilat janë kategoritë që mund dhe nuk duhet t’i nënshtrohen kësaj procedure, çfarë duhet të dini përpara se të bëni vaksinën? Ja se çfarë thotë në një intervistë për “Panorama”, mjekja infeksioniste Sabahet Dedja:
Doktoreshë, kohët e fundit ka nisur sensibilizimi për vaksinimin kundër gripit. Sa arrin të mbrojë realisht kjo vaksinë?
Gripi është një sëmundje e shkaktuar nga tipe të ndryshme të viruseve, që mund të përhapen lehtësisht në shtëpi, në institucione, në ambiente të mbipopulluara, me anë të spërklave gjatë kollitjes dhe teshtitjes. Si sëmundje infektive, vaksinimi është mënyrë mbrojtjeje. Veçse duhet ditur që vaksina mund të mbrojë dhe të ndihmojë nëse është shkaktuar nga 1 ose 3 shtamet virale që përmban vetë vaksina, ose shtame shumë të ngjashëm me ta. Fakti që ende nuk kemi raste me grip, ndikon që të rekomandohet kryerja e vaksinës, në mënyrë që mbrojtja të nisë më herët se të nisin rastet e para të epidemisë.
Pra, pavarësisht se mund të jesh vaksinuar, prekesh nga gripi, vaksina nuk arrin të të mbrojë?
Jo, sepse siç e thashë efekti i saj shfaqet 2-3 javë pas injektimit. Gjithsesi duhet kuptuar se vaksina përdoret për të parandaluar ndërlikimet që mund të shfaqë gripi, sidomos te fëmijët, dhe në ata të rritur që kanë risk të lartë për komplikacione nga sëmundje të ndryshme.
Realisht vaksina nuk mbron në ato raste kur virusi i gripit aktual nuk është i njëjtë me viruset që përmban vaksina. Po ashtu duhet theksuar se disa lloj virusesh të vaksinës në disa persona mund të stimulojnë formën e lehtë të gripit, ose siç e themi ne në mjekësi, forma minore të gripit.
Cilët persona e kanë të detyrueshme kryerjen e vaksinës?
Fëmijët dhe personat e riskuar e kanë shumë të nevojshme marrjen e vaksinës, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje kronike. Veçse para injektimit të vaksinës është e rëndësishme që të bisedohet më parë me mjekun ose farmacistin për t’u informuar në detaje.
Ka persona që nuk duhet ta bëjnë në mënyrë kategorike vaksinën e gripit?
Po. Ka persona, fëmijë ose të rritur që nuk duhet ta bëjnë këtë vaksinë. Ky është rasti i personave alergjikë, ose shumë të ndjeshëm nga substanca aktive a përbërësit e saj si: veza e pulës, neomicina, formaldehida. Gjithashtu nuk rekomandohet te personat që kanë temperaturë të lartë ose infeksione akute. Në këto raste rekomandohet që vaksina të bëhet pasi të përmirësohet pacienti ose të shërohet plotësisht. Duhet të lajmërohet mjeku ose farmacisti nëse pas marrjes së vaksinës ndodh: ulje e imunitetit, nëse testet e gjakut të bëra kanë ndryshime.
Po nëse përdor barna të tjerë, mund të bëhet vaksinimi?
Po. Vaksina mund të bëhet njëkohësisht me vaksinat e tjera, pasi nuk janë vënë re reaksione të ndryshme. Përgjigja imune (mbrojtja e organizmit) mund të ulet vetëm në rastet e trajtimit me barna antitumorale, radioterapi (rreze), kortikosteroid, citotoxik.
Si bëhet vaksina?
Ka doza të ndryshme për fëmijët dhe të rriturit. Kështu për fëmijët nga 6 deri 35 muaj duhet të bëhet 0.25 ml. Ndërsa nga fëmijët 35 muajsh dhe të rriturit doza e vaksinës duhet të jetë 0.5 ml. Mënyra e injektimit është intramuskulare ose subkutane e thellë. Nëse nuk jeni të bindur në efikasitetin e dozës së parë, mund të bëhet një përsëritje e dozës, pas 4 javësh nga vaksina e parë.
Si ruhet vaksina?
Ajo duhet të mbahet në frigorifer në temperaturë 2-8 gradë celsius, dhe në asnjë mënyrë në akull (freeze) sepse shkatërrohet.

efektet anesore

Ndër efektet anësore mund të radhisim:

 dhimbje koke,

 dhimbje muskujsh,

 ethe,

 djersitje,

 reaksione lokale në vendin e infektimit

Ka dhe reaksione shumë të rralla të lidhura me dëmtimet nervore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›