E Diel, 1 Nëntor 2026

Një humbje dinjitoze

Marko Bello 

Fitorja historike e kandidatit demokrat Barak Obama për postin e presidentit të SHBA duket se la disi jashtë vëmendjes humbjen dinjitoze të rivalit të tij republikan John McCain. Emocioni planetar që provokoi lajmi i bujshëm se Amerika zgjodhi presidentin e parë me ngjyrë në histori, nuk la shumë hapësirë për humbësin e këtyre zgjedhjeve, senatorin flokëbardhë nga Arizona, heroin e luftës në Vietnam. Për suksesin e merituar të Obamës do të flitet gjatë, ndërsa fjalimi i shkëlqyer i John McCain rrezikon të injorohet. Pikërisht te mënyra se si McCain reagoi ndaj humbjes, duhet parë forca, dinjiteti dhe fisnikëria e një politikani, të cilin duhet ta marrin si shembull të gjithë ata politikanë që shkakun e humbjes më shumë se tek vetja e shikojnë gjetkë, që humbjen e shohin si tragjedi dhe janë gati të luajnë të gjithë gurët vetëm e vetëm që faji t’u mbetet të tjerëve.
“Ne luftuam aq sa mundëm dhe ky dështim është i imi… Populli amerikan sot foli qartë. Këto janë kohë të vështira për vendin tonë, ndaj sonte zotohem se do të bëj të pamundurën për ta ndihmuar senatorin Obama të kapërcejmë sfidat që na presin... Zoti e ndihmoftë atë që e kisha kundërshtar dhe që do ta kem President”, do të deklaronte McCain, duke i kërkuar të gjithë përkrahësve të tij që t’i bashkohen për t’i ofruar presidentit të ri mbështetjen e tyre të sinqertë.
Këto fjalë të shenjta duket se kanë impresionuar mjaft komentatorë dhe analistë nga mbarë bota, të cilët kanë theksuar në komentet e tyre madhështinë dhe aftësinë çudibërëse të demokracisë amerikane. Vështirë se mund të jetë artikuluar mesazh më i bukur dhe më mbresëlënës nga konkurruesi që sapo ka humbur një garë politike të këtyre përmasave, por që gjen forcë në shpirt dhe karakter për ta konsideruar rivalin e vet dhe për ta quajtur pa hezitim “presidenti im”.
Kjo është Amerika ku ëndrrat bëhen realitet, ky është vendi ku çdo individ mund të realizojë ambiciet dhe dëshirat e tij. Ekuilibri dhe forca e humbësit John McCain demonstrojnë se SHBA janë në pararojë të botës demokratike, jo pse janë superfuqi ekonomike dhe ushtarake, por sepse amerikanët janë pa rivalë për shpirtin e tyre të mobilizimit dhe guximit për të ndryshuar botën.   
Kemi parë të ndodhë diçka e ngjashme kur japonezët sulmuan trupat amerikane në Pearl Harbor, ashtu sikurse i pamë të bashkuar edhe pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001. Do të përjetojmë sërish momente të tilla të një shpirti të madh edhe në të ardhmen. Ky është kapitali i pakrahasueshëm që u lejon Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndryshojnë historinë e botës, sa herë që koha e kërkon. Forca e ndryshimit qëndron, në të vërtetë, tek aftësia e amerikanit të thjeshtë për të zgjedhur udhëheqës të tipit Barak Obama, por edhe në gjeste madhështorë, sikurse ishte veprimi i pashoq i senatorit John McCain.
A mund të imagjinohet se diçka e tillë mund të ndodhë ndonjëherë në Shqipëri, ku politikanët konsumojnë energji vetëm për të denigruar njëri-tjetrin dhe aspak dinjitet për të pranuar humbjen, ku më shumë mendojnë si të përfitojnë pa dhënë më parë diçka nga vetja, ku kryeneçësia ka përparësi ndaj modestisë dhe ku interesat personale dhe partiake vihen shpeshherë mbi ato të vendit dhe qytetarëve? Sot për sot ky mbetet thjesht një deziderat, edhe pse të gjithë mburremi se e kemi SHBA partnerin tonë strategjik më të rëndësishëm. Zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë sidoqoftë një rast i mirë për të demonstruar se miqtë i duam jo vetëm për të përfituar, por mbi të gjitha për të mësuar prej tyre, se demokracinë amerikane jo vetëm dimë ta vlerësojmë, por se jemi të gatshëm ta zbatojmë edhe në këtë cep të Ballkanit, duke i bërë kështu një nder vendit dhe qytetarëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›