E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, një histori thuajse personale!

Blendi Fevziu 

Nuk e di pse në çdo kohë dhe garë zgjedhjet amerikane kanë po  ...atë imazh të kthjellët në kujtesën time. Një natë vjeshte të vonë të nëntorit 1980, në apartamentin tonë të vogël, ku im atë kishte thyer gjumin me veshin në Radio duke pritur zgjedhjen e Ronald Reganit President. Kishte shpresuar gjatë atë gjysmë viti se ai do të vinte në pushtet, kishte një shpresë dhe besim të çuditshëm se ai do t’i gjunjëzonte sovjetikët dhe tentonte, me rezerva të përcillte tek unë, bashkëbiseduesi i tij i vetëm 11-vjeçar, entuziazmin e tij. Nuk di sa ishte ora kur ai më tundi fort, më zgjoi të trembur nga gjumi i thellë i një fëmije ende pa hyrë në adoleshencë, duke më shqiptuar frazën magjike: Regani fitoi, fitoi.
Ai kishte besuar gjatë te kjo fitore, ashtu si për një kohë të gjatë, sa e mbaja mend unë, kishte shprehur keqardhjen për vrasjen e Kenedit, një President që e admironte shumë. Nuk e di pse besoj, se ende sot, kur po i afrohem të 40–tave dhe kam njohuri dhe analizë, një pjesë e dashurisë sime për këta dy Presidentë është përcjellë prej tij…
28 vjet nga ai moment i ngulur fort në kujtesë, këtë nëntor, ne ecnim të dy rrugëve të Uashingtonit. Ndaluam përpara Shtëpisë së Bardhë, diskutuam për Mekein dhe Obamën, për krizën, për luftën në Irak, për magjinë amerikane dhe debatet në Shqipëri. Derisa unë u detyrova të largohesha për të transmetuar raportin e parë për TV Klan nga Eurovizioni i SHBA.
Nuk dua të flas për atmosferën, klimën, obamomaninë, ankthin e shtypit dhe timin për atë transmetim të një evenimenti botëror. Po i largohem një analize ku janë përfshirë të gjithë, nga penat më mbresëlënëse të planetit deri tek ato më mediokret. Nga Uashingtoni e Nju Jorku deri në Ulanbatorin e largët. Dua ta shoh të gjithën, edhe zgjedhjen e Obamës, si një histori personale, që ka nisur atë natë të largët të nëntorit 1980, kur Regani fitoi dhe babai im shpresonte. Shpresoja edhe unë instinktivisht, pa e ditur ekzakt se çfarë ishte ai besim; se përse Regani do t’i mundte rusët dhe përse jeta jonë do të ndryshonte pas kësaj!
Në mbrëmje 28 vjet më pas, ndërsa kthehesha nga festimet përpara Shtëpisë së Bardhë dhe Qendra e Shtypit, ndërsa gazetarë nga e gjithë bota qenë ende nën efektin magjepsës të ëndrrës amerikane, fillova të kuptoja më qartë se përse ai besim i pakuptueshëm i asaj kohe kishte qenë i drejtë. Se përse edhe ne befas, qemë shndërruar pjesë e ëndrrës amerikane dhe tani që Obama fitoi, po e kuptoja më thjesht. Ose, që një pjesë e asaj ëndrre qemë të gjithë bashkë. Im atë kish pasur të drejtë. Ai kish besuar dhe Amerika po ia kthente besimin mbrapsht.
Ne kishim kaluar një fundjavë të tërë në Uashington, bashkë me time më, time motër dhe xhajat e mi. Im atë ishte larguar për të votuar Mekein, ndërsa motra po atë ditë hodhi votën pro Obamës. Ata nuk ishin më dëshmitarë entuziastë, por me votën e tyre po bëheshin pjesë e historisë, qoftë edhe një pjesë mikroskopike e saj. 15 vjet më parë, kur qenë larguar për në Nju Jork, ata dinin vetëm dy gjëra: Që Amerika është një vend i mundësive dhe një vend i lirë. Tani ata e dinin mirë se madhështia qëndronte pikërisht te Liria! Se ata kanë të drejtë ta shprehin vullnetin e tyre siç duhet dhe se vota e tyre, bashkë me atë të 64% votuesve amerikanë i kishte mundësuar një mesoburri, djalit të një emigranti kenian që kishte emigruar shumë vite më parë si ata, me besimin tek Amerika, të bëhej President i saj. Ç‘do gjë ndodh në Amerikë! Po kjo ishte diçka që na kishte ndodhur të gjithëve. Për 24 orë rresht kisha dëgjuar kushëririn tim të parë Onin, që debatonte me Berat Buzhalën për Obamën dhe shanset tij. 20 vjet më parë të dy kishin pasur një jetë aq të trishtë. Berati si një fëmijë i shtypur nga regjimi serb në Kosovë dhe djali im i xhajës si fëmija i një të dënuari politik në Shqipëri. Tani edhe ai shëtiste me të atin në Uashington, diskutonte për votën dhe besonte se me angazhimin e tij do të kontribuonte sadopak për Amerikën. Siç besonte edhe i ati i tij, pas 20 vitesh burg dhe siç kishte besuar gjithnjë. Ata besonin të gjithë tek ëndrra amerikane. Ajo ëndërr që i kishte bërë të udhëtonin përtej oqeanit në ditët e para të regjimit të ri në Shqipëri, me ëndrrën për një jetë më të mirë. Tani, ata kishin arritur që me votën e tyre, pro apo kundër t’i jepnin krahë ëndrrës amerikane. Ato ndiheshin pjesë e këtij ndryshimi, e këtij besimi, që së paku për mua kishte lindur 28 vjet më parë, kur im atë më zgjoi nga gjumi i natës së vonë të nëntorit, për të më dhënë lajmin e madh: Regani fitoi!
28 vjet më pas, unë kisha mundësi të vërtetoja se besimi i tij, si i miliona e miliona ithtarëve të Amerikës ishte i drejtë: Amerika di të ngjallë besim!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›