Kapet i mituri, vodhi magazinën e hekurudhës
DURRËS – Një i mitur ka arritur të vjedhë Bazën Mekanike të Hekurudhës në Durrës, por më pas ai është kapur në flagrancë. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi A.C., 12 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës, është kapur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21.00 në zonën e plazhit teksa po transportonte një sasi hekuri të vjedhur në disa magazina shtetërore. Sipas tyre, 12 vjeçari e ka kryer këtë vjedhje në bashkëpunim me një shtetas tjetër të moshës 35-vjeç, i quajtur Hidajet Synimaj, për të cilin policia po punon për ta ndaluar. Hekuri i cili është sekuestruar nga policia, është pjesë ballore e një vagoni treni mallrash dhe një shinë, të cilat dyshohet se janë marrë në Parkun e Mjeteve Hekurudhore në Durrës. Malli ishte planifikuar për tu shitur për skrap.
Kapet 49-vjeçarja, ishte dënuar për kultivim Canabis
PËRMET – Pas rreth katër muajsh është ndaluar një 49-vjeçare nga Përmeti, e cila ishte dënuar më dy vjet burg për kultivim të bimëve narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës pohojnë se, rreth orës 20.30 të ditës së mërkurë, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës ndaluan shtetasen Gjylystane Tefik Elmazi, e datëlindjes 1959, lindur dhe banuese në fshatin Alipostivan të rrethit Përmet. Ndalimi i saj u bë për arsye se 49-vjeçarja ishte e shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Përmet, për arsye se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar më 26 shkurt të këtij viti me 2 vjet burg për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.
Depresioni, hidhet nga kati 5-të i moshuari
KUKËS - Vetëvritet një 67 vjeçar duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte. Burime të policisë së Kukësit, thanë se shtetasi Osman Topuzi, 67 vjeç rreth orës 04.00 të ditës së enjte si rezultat i depresionit, është hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte, në qytetin e Kukësit. Si rezultat i hedhjes nga lartësia, 67 vjeçari ka gjetur vdekjen në spital duke mos mundur t’i rezistojë plagëve të rënda. Sipas policisë 67 vjeçari e ka bërë këtë veprim, si rezultat i gjendjes depresive. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Gjatë këtij viti janë shënuar me dhjetëra raste të vetëvrasjeve për shkak të depresionit, ku motivet kryesore janë varfëria dhe mos-trajtimi përmes kurave mjekësore të problemeve psikologjike nga viktimat.
Dy të pranga për plagosjen e 16-vjeçarit
KUKËS - Dy shtetas janë ndaluar mëngjesin e së enjtes për veprën penale të “plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje”. Zëdhënësja e policisë së qarkut të Kukësit, tha se janë ndaluar shtetasit Mentor Fehrati, 23 vjeç, nga Kukësi dhe Kreshnik Laçi, 29 vjeç, banues në Tiranë. Në orët e pasdites së të mërkurës, dy shtetasit e ndaluar janë grindur për borxhin që shtetasi Fehrati i kishte Laçit dhe 23 vjeçari i ka marrë pistoletën tip “Zastava” dhe ka plagosur vëllanë e Laçit, 16 vjeçarin G.L . Pas grindjes, të dy shtetasit janë larguar nga vendngjarja, duke dashur t’i shpëtojnë ndëshkimit të ligjit. Në mesnatë, duke gdhirë e enjtja, policia ka mundur të ndalojë të dy autorët. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
13 Qershor 2008