Studimet në Itali, shtyhet afati i dorëzimit të dokumenteve
TIRANË - Studentët shqiptarë, që duan të ndjekin studimet në universitetet italiane, do të kenë mundësi deri në datën 19 qershor për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Konsullatës Italiane në qytetin e Shkodrës. Zyra e shtypit e kësaj Konsullate, bëri të ditur dje, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se Konsullata e Italisë në Shkodër zgjat afatin për studentet e interesuar për të paraqitur kërkesë për para-regjistrim pranë Universiteteve deri me datë 19 qershor nëpërmjet programit të kushtuar posaçërisht studentëve në Sitin e Internetit www.consitalia-scutari.org. Sipas njoftimit, ky program, ndryshe nga programet e tjerë tashmë në përdorim për kërkesën për takim për vizat dhe legalizimet, i bën të mundur studentit të zgjedhë kursin e diplomës së parashikuar dhe të marrë nëpërmjet postës elektronike informacionet e nevojshme dhe dokumentacionin për ta paraqitur në Konsullatë. Në një publikim të bërë për mediat pak ditë më parë, Konsullata e Italisë në Shkodër njoftonte studentët se afati i kryerjes së procedurave të tyre do të ishte deri me datë 13 qershor, ndërsa tani ai shtyhet edhe për gjashtë ditë të tjera.
13 Qershor 2008