E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosen rëndë nënë e bir, shpërthen bombola e gazit



LEZHË – Ndërrimi i bombolës së gazit ka qenë me pasoja të rënda për një familje në qytetin e Lezhës, ku një grua dhe djali i saj 1-vjeçar kanë mbetur të plagosur rëndë. Burimet zyrtare të Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se janë djegur si pasojë e flakëve të shkaktuara nga gazi i lëngshëm shtetasja Vjollca Curri dhe i biri i saj 1-vjeç. Sipas tyre, ngjarja ndodhi rreth orës 19:45 të mbrëmjes në shtëpinë e familjes Curri, në lagjen "Skënderbeg" të qytetit të Lezhës". Flakët përfshinë banesën duke djegur shumicën e orendive që ndodheshin brenda. Policia nisi hetimet, ku dyshimet e para janë hedhur për cilësinë e dobët të bombolës, e cila mund të jetë jashtë standardeve të tregtimit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e pakujdesisë gjatë vendosjes së bombolës së re të gazit.
Ngjarja
Mbrëmjen e së enjtes, teksa të gjithë pjesëtarët e familjes Curri, me banim në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë po shihnin ndeshjen e kampionatit evropian, janë përballur me një ngjarje me pasoja fatale. Kryefamiljari po vendoste bombolën e re të gazit, dhe teksa po bënte ndërrimin me bombolën boshe, për momentin, i gjithë mjedisi është mbushur me gazin e lëngshëm, dhe më pas gjithçka është përfshirë nga flakët. Anëtarët e tjerë të familjes kanë mundur të dalin jashtë shtëpisë, por brenda ka mbetur Vjollca Curri dhe i biri 1-vjeçar. Të dy janë përfshirë nga flakët, duke marrë djegie të shumta në trup. Dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës, por gjendja e tyre shëndetësore ka qenë tejet e rëndë. Më pas, ata janë nisur drejt kryeqytetit për të marrë trajtim mjekësor më të specializuar në Spitalin Ushtarak.
Hetimet
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëset të cilat kanë shuar flakët e zjarrit. Por, raportohet se janë djegur shumë nga orenditë që ndodheshin në banesën e familjes Curri, duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Aktualisht policia po heton për rrethanat e ngjarjes ndërsa bën të ditur se shpërthimi ka ndodhur në momentin e ndërrimit të një bombole gazi e cila ka qenë e mbaruar me një tjetër të re. Por, dyshohet se bombola ka qenë jashtë kushteve të tregtimit, për shkak të cilësisë jo të mirë të saj. Gjithësesi, zbardhja e plotë e hetimeve do të nxjerrë shkaqet. Tre ditë më parë një lokal i shkrumbua në Vlorë si pasojë e shpërthimit të gazit dhe përfshirjes së mjedisit nga flakët. Para pak javësh qeveria ka përgatitur një vendim për kushtet dhe standardet e tregimit të gazit nga subjektet private. Enti Rregullator i Energjisë do të vendosë kushtet për licencimin e tyre. Por, masat e reja që do të aplikohen, vijnë menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Paketa e re ligjore ndalon tregtimin e gazit në bodrumet e pallateve të banueshme apo në vendet publike, ku ka lëvizje të madhe të qytetarëve.

Loja me granatën i merr jetën 13-vjeçarit

TEPELENË - Vritet aksidentalisht një fëmijë nga shpërthimi i një granate. Burime nga policia e Tepelenës thanë se rreth orës 19.00 të së mërkurës, në fshatin Luftinjë 2, të komunës Luftinjë të rrethit Tepelenë, në një përrua në mes të disa shkurreve në lagjen “Goxhaj”, fëmija Renaldo Goxha, i datëlindjes 1995, duke kullotur bagëtitë, ka gjetur një granatë dore të vjetër. Duke luajtur me të, granata ka shpërthyer dhe si pasoje fëmija ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se granata ishte që prej vitit 1997. Nga dëshmitarët okularë që ishin në afërsi të vendngjarjes, rezultoi se fëmija ishte duke luajtur më granatën dhe për pasojë ajo ka shpërthyer duke i marrë jetën.

Përplasja motor-makinë, dy të plagosur

DURRËS – Të paktën tre persona janë plagosur në dy aksidente të ndodhura gjatë dy ditëve të fundit në Durrës. Përplasja mes një motori, mbi të cilin ndodheshin dy të rinj dhe një automjeti tip Mitsubish, ka shkaktuar plagosjen e dy të rinjve. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut Durrës bëjnë të ditur se nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Endri Rama, për arsye se dy ditë më parë, rreth ora 08.00, ne segmentin rrugor Shijak-Goxhas, në kohën kur drejtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në sensin e kundërt të lëvizjes një motoçiklet, 49 cc, pa targa, është përplasur me një mjet. Sipas tyre, 18-vjeçari goditi makinën tip Mitsubish, me targa DR 9906 D, i cili drejtohej nga shtetasi B.Sh. Si pasojë, është dëmtuar drejtuesi i motoçiklet, Rama dhe pasagjeri i tij, shtetasi A.D.. Dy të dëmtuarit ndodhen në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Mbrëmjen e së mërkurës, automjeti tip Renault me targa DR 5387 D, ne segmentin rrugor Shënovlash-Spitalle, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit duke u përplasur me një shtyllë betoni. Pas verifikimit nga policia, organi i akuzës nisi hetimet për shoferin e mjetit, shtetasin Aurel Voda, lindur në vitin 1972 në qytetin e Durrësit.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›