E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet kokainë në Burgun e Drenovës

Korçë Tentonte të fuste drogën, pranga vëllait të Currit

Kapet me drogë në Burgun e sigurisë së lartë të Drenovës, vëllai i të ashtuquajturit Curri, njërit prej autorëve të vrasjes së bujshme të basketbollistëve korçarë. Gjergji Strati është kapur në kushtet e flagrancës me lëndë narkotike gjatë kontrollit rutinë të gardianëve të burgut. Burime të sigurta të policisë bëjnë të ditur se 40-vjeçari Strati është shoqëruar dhe më pas arrestuar, për akuzën e “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Të njëjtat burime saktësojnë se vëllait të Vasi Stratit, të dënuarit me 25 vjet burgim për vrasjen e dy basketbollistëve në bashkëpunim me dy autorë të tjerë, i janë gjetur 7 gramë kokainë. Ai e kishte fshehur drogën në pantallona dhe pasi ka kaluar kontrollin e parë në ambientet e brendshme ku kryhet një kontroll edhe më i imët ndaj vizitorëve, i është gjetur kokaina e futur në qese. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, kur Gjergji Strati kishte shkuar për t’i çuar ushqime në burgun e sigurisë së lartë dhe për të kryer vizitën e radhës me vëllain e tij të dënuar për vrasje. Ky është rasti i tretë i kapjes së personave me lëndë narkotike në Burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Pak kohë më parë, një gardian i këtij institucioni të sigurisë së lartë u kap nga kolegët me 10 gramë kanabis sativa të ndara në qese, të cilat i kishte fshehur në çorape. Pas arrestimit të gardianit 24-vjeçar, Denis Ismailani, në të njëjtin institucion u kapën në kushtet e flagrancës dy vajza të afërme të një të dënuari me 14 vjet burgim, të cilat tentuan të fusnin bashkë me ushqimet një sasi lënde narkotike të llojit marijuanë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›