Pritja e tre terroristëve, sekreti iu besua RENEA-s dhe SHISH-it
Pritja dhe shoqërimi i tre bujtësve të mbërritur në Tiranë nga Burgu i Guantanamos iu besuan dy strukturave më të rëndësishme policore e të shërbimit inteligjent; njësisë speciale të RENEA-s dhe grupit operacional të Shërbimit Informativ Shtetëror. Kjo nuk ishte një gjë e zakonshme se në rastin analog të 5 majit të vitit 2006 kanë qenë forcat policore të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ato që i kanë shoqëruar ata për në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru 5 uigurët që u transferuan nga Burgu i Guantanamos në Shqipëri. Personeli amerikan i avionit ushtarak ia ka dorëzuar specialëve të RENEA-s Saleh bin Hadi Asasi, me kombësi tuniziane, Sharif Fati Ali al Mishad, me kombësi egjiptiane, dhe Abdul Rauf Omar Mohammad Abu al Qusin, me kombësi libiane fill pas uljes në bazën ajrore të ushtrisë shqiptare në Rinas. Njësia speciale dhe grupi operacional i shërbimit inteligjent kanë përmbushur kështu supersigurinë e kërkuar nga amerikanët për tre ish-të burgosurit nën damkën e terrorizmit. Ky është një tjetër rast në radhë kur transferime të kësaj natyre janë tepër sekrete dhe mbahen larg vëmendjes së mediave.
FshehtësiaTë gjitha veprimet janë bërë në konspiracion të plotë. Gjatë paradites së 23 shkurtit, autoritetet e larta policore kanë sinjalizuar specialët e RENEA-s për të qëndruar në gatishmëri, pasi do të kryenin një operacion tejet sekret, ndërsa po e njëjta gjë është komunikuar edhe për njësinë operacionale të SHISH, e krijuar pak kohë më parë me elementë të zgjedhur po nga forcat speciale. Në orët e mbrëmjes një njësi e RENEA-s ka lëvizur drejt Rinasit, me disa nga pjesëtarët e saj të paveshur me uniformë e porositur kjo nga eprorët. Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë kishte organizuar kontrolle në disa pika të aksit rrugor Rinas-Tiranë. Rreth orës 21:00 në Bazën Ajrore Ushtarake të Rinasit është ulur një çarter ushtarak. Zyrtarë të lartë të shërbimit kanë asistuar atje, ndërsa disa nga djemtë e RENEA-s kanë marrë në dorëzim tre ish të dënuarit. Ata mbështeteshin nga pjesa tjetër e njësisë, si dhe nga grupi operacional i SHISH. Pas kësaj të ardhurit janë futur në makinën e specialëve dhe janë shoqëruar deri në Qendrën e Azilkërkuesve. Specialët nuk janë ngutur, megjithatë përshkrimi i kësaj rruge nuk ka zgjatur më shumë se 25 minuta. Rrugëkalimi i tyre ishte i siguruar më së miri e madje ai nuk e kishte ngarkesën e zakonshme të trafikut, pasi ishin orët e vona të mbrëmjes me shi. Në Babrru, tre të ardhurit janë marrë nën kujdesin e personelit të qendrës duke u sistemuar dhe akomoduar.
NjoftimiAshtu si edhe në rastin e uigurëve, njoftimet janë bërë vetëm atëherë kur gjithçka kishte mbaruar më së miri. Fshehtësia u ruajt për arsye të sigurisë së të ardhurve. Madje, në njoftimin e zyrës së shtypit në Ministrinë e Brendshme të 24 shkurtit shkruhet se një ditë më parë tre persona ishin transferuar nga Burgu i Gunatanamos, pasi “dy qeveritë koordinuan midis tyre mbi modalitetet e transferimit dhe angazhohen të vazhdojnë konsultimet në lidhje me trajtimin e këtyre personave”. E njëjta gjë edhe në 5 majin e vitit 2006 kur u gjet një ditë feste për të sjellë në Shqipëri pesë uigurët që ishin arrestuar në vitin 2001 dhe ishin mbajtur plot 5 vjet në burgun famëkeq.
#