Të burgosurit, bum kërkesash për ulje dënimi
Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kanë shqyrtuar 102 kërkesat e të burgosurve për ulje dënimi. Vetëm 27 gra të dënuara u janë drejtuar togave të zeza për të përfituar ulje dënimi sipas nenit 63 të ligjit 8328. Edhe pse procedurat për të përfituar 90 ditë burg është e mundimshme, pasi kërkuesve u duhen plot 2 muaj, ata nuk kanë reshtur se kërkuari të drejtën e tyre. Statistikat e pasqyruara nga Gjykata e Faktit flasin për 49 kërkesa të shqyrtuara gjatë janarit, nga data 11 deri në datën 29 të këtij muaji të parë të vitit. Ndërsa plot 53 kërkesa janë shqyrtuar brenda muajit shkurt. 82 kërkesa janë pranuar, ndërsa për të tjerat është vendosur pushimi i tyre, shtyrë apo dhe moskompetenca. Nuk është e thënë që të gjithë të kënaqen nga vendimet e gjyqtarëve, pasi përveçse pranimit të kërkesave dhe shkurtimin e afatit të burgimit me 90 ditë, gjyqtarët në disa raste ose kanë shprehur inkompetencën, shtyrë apo dhe i kanë pushuar çështjet. Janë dhënë edhe vendime, ku i burgosuri nuk përfiton maksimumin e uljes së dënimit, por vetëm 50 apo 60 ditë. Të dënuarit që kanë marrë një vendim të formës së prerë për veprën penale për të cilën akuzohen, nuk ngurrojnë ta shfrytëzojnë këtë hapësirë të ligjit, që u mundëson në një vit uljen e dënimit me plot 90 ditë. Por jo të gjithë mund të përfitojnë, pasi ligji ka përcaktuar kritere rigoroze për te aplikuesit. Pas shqyrtimit të kërkesës, vendos gjyqtari, i përcaktuar me short nëse do të shprehet pozitivisht për të dënuarin që ka aplikuar.
PërfitojnëVepra penale për të cilën të burgosurit vuajnë dënimin luan rol të rëndësishëm për zbritjen e këtij të fundit. Po aq i rëndësishëm është edhe dokumenti i lëshuar nga drejtuesit e burgjeve ku ata kryejnë dënimin, në të ka të dhëna për sjelljen e të burgosurit. Si gjithnjë rol të rëndësishëm për të përfituar ulje dënimi luajnë edhe kushtet ekonomiko-sociale apo dhe gjendja shëndetësore. Pra, për kushte të vështira ekonomike, apo dhe probleme të tjera familjare, kur ato ekzistojnë, i burgosuri i ka ato në favor në përfitimin e faljes së 90 ditëve dënim. Procedura e kërkon që në momentin kur depozitohet kërkesa, hidhet shorti për përcaktimin e gjyqtarit që do ta marrë në shqyrtim çështjen. Menjëherë pas kësaj përcaktohet dita e zhvillimit të procesit dhe në seancat e para dëgjohet i dënuari se përse kërkon ulje dënimi. Pasi togat e zeza dëgjojnë kërkuesin, i japin të drejtën juristit të burgut të flasë për dosjen e të dënuarit që kërkon ulje dënimi. Vetëm pasi i ka dëgjuar të dyja palët, gjyqtari i çështjes vendos në fund nëse do ta pranojë kërkesën apo jo. Mospranimi i kërkesës do të thotë betejë e humbur për kërkuesin. Ligji 8328 përcakton qartazi se i burgosuri mund ta ushtrojë vetëm një herë në vit të drejtën e tij për të kërkuar ulje dënimi.
Rrëzimet dhe refuzimeShumë interesant është fakti kur gjyqtari ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës për Albana Zenelajn, prostitutës së dënuar me 9 vjet burg për vrasjen e 57-vjeçarit Gëzim Shullani më 2 mars të vitit 2008. Edhe Vezire Sina, e cila vuan dënimin në Burgun 325 në Tiranë, nuk ka përfituar ulje dënimi. Kërkesa e të dënuarës për vrasjen e babait të saj në vitin 1997, krim që nuk e ka pranuar kurrë, është refuzuar nga gjyqtari, pasi ajo kishte një masë disiplinore në 2009-n, gjë që nuk ia mundëson uljen e dënimit. Po ashtu, një tjetër personazhi të njohur që i është rrëzuar kërkesa është Arian Avdo, i cili është dënuar me 13 vjet burg për vrasjen në prill të vitit 2007 të Dorian Vuçiternës. Në vendim nuk jepen arsyet e refuzimit. I është pushuar çështja edhe 39-vjeçares Orges Xhelali, e cila është dënuar në vitin 2008 për trafik të lëndëve narkotike. Ndoshta për të gjithë të refuzuarit është vepra penale ajo që nuk u jep mundësinë të përfitojnë ulje dënimi.
#