E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni, Dajti sjell në Tiranë 25 kg drogë

Dy persona nga Shëngjergji kultivonin kanabis në fshat dhe e shisnin me pakicë në kryeqytet

Mbi 25 kg hashash janë bllokuar nga policia, që mendohet se është kultivuar në Tiranë. Dy persona nga Shëngjergji janë kapur duke zbritur nga Dajti me ngarkesën e drogës në mjetin e tyre. Kapja e tyre u realizua gjatë operacionit të koduar “Dajti”, që u realizua pas një muaji hetime. Burimet policore të kryeqytetit thanë se nga strukturat e Policisë së Tiranës, në vazhdimësi të operacioneve antidrogë, gjatë orëve të vona të së enjtes kanë bërë të mundur finalizimin e një superaksioni, duke sekuestruar në Linzë të Dajtit rreth 25 kg e 600 gramë lëndë narkotike, e dyshuar kanabis. Gjatë operacionit u arrestuan Fatjon Hysen Balla, 27 vjeç dhe Denis Naim Duka, 26 vjeç, banues në Shëngjergj të Tiranës. Burimet policore thanë se këta dy persona u kapën pas informacioneve të poseduara për ta, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Linzë, po transportonin me automjetet e tyre sasinë prej 25 kg e 600 gramë lëndë narkotike të llojit kanabis. Policia tha se menjëherë u morën masat dhe u mbajtën nën vëzhgim derisa u bë ndërhyrja për kapjen e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me targa PD B16670, u gjetën tre thasë të mbushur me bimë e dyshuar narkotike e llojit “kanabis”. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit e lartpërmendur e realizonin shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në tregun e brendshëm në Tiranë, kryesisht në zonat e Kinostudios, zona e Bërrylit dhe disa zona të tjera. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, dy automjete me targa 483 KS 850 dhe PD B16670 dhe një shumë e vogël parash. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Policia tha ky është rasti i parë për këtë vit i goditur në zonën e Dajtit, ku mendohej se kultivohej edhe lënda narkotike. Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e të arrestuarve dhe po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›