E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 40 kg hashash, transportohej me "makinë policie"

Autori i Lajmit: red.
Transportonte 40 kilogramë hashash me një makinë të vjedhur, përfundon në qeli 23-vjeçari. Droga kishte origjinë nga Lazarati dhe ishte e destinuar për tregun grek. Blutë e Gjirokastrës kanë mundur të bllokojnë kanabisin dhe të vënë në pranga trafikantin dje, ndërkohë që kanë nisur hetimet në lidhje me të tjerë të dyshuar, si pjesëmarrës në këtë rrjet. Gjithçka është realizuar në kuadër të operacionit të koduar “Vazhdimi”.
Arrestimi
Një person është arrestuar gjatë një operacioni ku janë bllokuar 40 kilogramë kanabis sativa. Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës bënë të ditur se kanë zhvilluar operacionin e koduar “Vazhdimi”, për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe konkretisht, policia ka arrestuar Astrit Kermezon, i cili po udhëtonte në një automjet në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në vendin e quajtur Fusha e Shtëpëzit, afër kantierit të ndërtimit të autostradës në segmentin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, kanë ushtruar kontroll në mjetin e dyshuar. Në bagazhin e automjetit tip “Benz 190”, me targa false DR 80 44 D, që drejtohej nga Kermezo, 23 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Gjirokastër, janë gjetur 40 kg lëndë narkotike.
Droga
Pas ndalimit të 23-vjeçarit policia ka sekuestruar 40 kilogramë kanabis sativa. Droga u gjet në 4 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, brenda të cilave kishte lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis, ku secila pako peshonte nga 10 kilogramë. Gjithsej janë sekuestruar 40 kilogramë drogë si dhe në kroskotin e makinës u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 41.500 lekë. Për t iu shmangur postblloqeve të policisë, drejtuesi i automjetit kishte vendosur në makinë një tabele policie të qarkullimit rrugor dhe një jelek fosforishent po të Policisë Rrugore. Është bërë arrestimi në flagrancë i 23-vjeçarit Kermezo, për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, është sekuestruar lënda narkotike, sasia e lekëve dhe automjeti në cilësinë e provës materiale. Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Gjirokastrës, e cila pritet të marrë në pyetje të dyshuarin për të zbardhur të tjerë emra të implikuar në këtë trafik
Ky lajm është publikuar: 06/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›