Kapet me armë në krah, prangoset adoleshenti rom
Një 17-vjeçar nga fshati Çukë i Sarandës është vënë në pranga dje. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se Ismail Garo është kapur në Lagjen Nr.4 të qytetit bregdetar, duke mbajtur në krah një armë automatike të tipit "Kallashnikov". Të njëjtat burime referojnë se adoleshenti ka qenë edhe më parë kontingjent i policisë së Sarandës. 17-vjeçari Garo, lindur dhe banues në fshatin Çukë të Sarandës, është prangosur nga forcat e policisë së rendit në Sarandë, teksa mbante në shpinë një thes të dyshimtë. Policët e kanë ndaluar adoleshentin nga Çuka dhe pas kontrollit të bërë i kanë gjetur atij të futur në thes një armë automatike tip "Kallashnikov", së bashku me një krehër me 8 fishekë. Pas konstatimit të armës, menjëherë është bërë shoqërimi i tij për në komisariat, ku është vendosur arrestimi në flagrancë, ndërkohë që policia po punon për të zbuluar qëllimin e mbajtjes së armës nga ana e tij. Ismail Garo ka qenë edhe më parë i arrestuar nga policia e Sarandës. Në qershor të vitit 2007, një grup romësh nga Çuka, në tentativë për të rrëmbyer një bashkëfshataren e tyre 13-vjeçare, kanë plagosur të atin e saj, Arben Shaqiri nga Çuka. Policia në atë kohë vuri në pranga romin Ismail Garo, vetëm 15 vjeç, i përcaktuar si autor i plagosjes me thikë të Arben Shaqirit.