E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kontrollon serat për fidanë të bimëve narkotike

Policia e Fierit ka vënë në "sitë" të gjitha serat bujqësore dhe gjithë sipërfaqet e tokave të mbjella të qarkut. Aksioni i policisë ka ardhur pas një urdhri të brendshëm të lëshuar nga drejtuesit më të lartë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, me qëllim ndalimin e kultivimit të bimëve narkotike gjatë kësaj stine. Pas mbledhjes së Komitetit Rajonal të Luftës Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike një ditë më parë, Drejtoria e Policisë së Fierit ka zhvilluar një mbledhje urgjente me të gjithë efektivët e saj. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në mbledhje kanë marrë pjesë jo vetëm drejtuesit e seksioneve, por edhe inspektorët e zonave të ndryshme të qarkut. Këtyre të fundit u është kërkuar të kontrollojnë të gjitha serat bujqësore dhe tokat e mbjella në fshatrat e zonave të tyre. Pas komunikimit të urdhëresës, menjëherë ka nisur kontrolli i sipërfaqeve të mbjella, qofshin ato në sera apo në toka të hapura. Në ndihmë të inspektorëve kanë qenë edhe agjentë të Antidrogës, të cilët kanë shpjeguar veçoritë e bimës në fazën e fidanit. "Veçoritë e hashashit dhe të opiumit qysh në periudhën e parë të kultivimit të tyre, në fidanë, u janë dhënë inspektorëve. Gjithashtu, foto të ngjashme me fidanin e hashashit kanë në dispozicion të gjitha uniformat blu të Qarkut të Fierit", kanë thënë zyrtarisht për "Shqip" oficerë të Seksionit të Antidrogës në drejtorinë e policisë së qarkut. Në ditën e parë të këtij aksioni kundër kultivimit të bimëve narkotike janë kontrolluar disa fshatra të komunës Levan, Cakran, Ruzhdie, Frakull, Portëz, Kutë, Aranitas, Bubullimë, Zhamë etj. Ndërkohë që aksioni do të shtrihet në çdo cep të territorit të qarkut. Burimet zyrtare policore tregojnë se dy vitet e fundit është konstatuar se bimët narkotike mbillen zakonisht në oborret e shtëpive apo dhe sera. Por jo vetëm ky fakt, por edhe periudha aktuale që konsiderohet si koha më e përshtatshme për kultivimin e hashashit ka vënë në lëvizje dhe në aksion policinë. Fieri konsiderohet si një qytet transit i trafikut të të gjitha llojeve të drogave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›