Kapet me drogë djali i ish- ambasadorit
TIRANE- Arrestohet me drogë djali i ish- ambasadorit Shqiptar në Nju Jork, Fatos Tarifa. Sidrit Tarifa, 30 vjeç, banues vetëm 20 metra larg Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, është arrestuar nga oficerët e zyrës së Antidrogës me rreth tri doza drogë të llojit marijuanë të cilat ai i mbante me vete.
Tarifa, 30 vjeç, banues në rrugën "Sami Frashëri", është ndaluar nga shërbimet e patrullave të komisariatit nr.2, në bulevardin "Bajram Curri", pranë lulishtes së bllokut të pallateve "1 Maji" mbrëmjen e të mërkurës.
Ai është bllokuar nga një patrullë e komisariatit nr.2, të cilët gjat kontrollit fizik të kryer ndaj tij i kanë gjetur dhe i kanë bllokuar një sasi prej 6 gramësh lëndë narkotike e llojit kanabis sativa e cila është bllokuar nga efektivët e policisë në cilësinë e provës materiale.
Pas bllokimit të 30- vjeçarit Tarifa, efektivët e patrullës ia kanë dorëzuar 30 vjeçarin për kompetencë hetimore, oficerëve të zyrës së Antidrogës së Policisë së Tiranës.
Këta të fundit pas veprimeve të kryera me personin e kapur me lëndë narkotike, i kanë komunikuar edhe akuzën e mbajtjes dhe prodhimit, posedimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ndërkaq lënda e bllokuar është dërguar në laboratorin e policisë Shkencore për të kryer ekazaminimet përkatëse.
Ndërkaq, gjatë pyetjes së tij nga efektivët e policisë djali i ish- ambasadorit, nuk ka pranuar të flasë dhe të japë detaje mbi origjinën se nga kishte marrë lëndën narkotike apo se si kishte mundur ta siguronte atë. Ndaj tij policia ka marrë masën e arrestit në kushtet e flagrancës, për mbajtjen e lëndëve narkotike.
--------------------------------------------------------------------------------------------------------
Përplasen dy makina, aksidentohen nënë e bijë
TIRANË- Një grua 45- vjeçare dhe vajza e saj 10 vjeçe, mbetën të plagosura gjatë një aksidenti të ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën "Perlat Rexhepi" në kryeqytet pasditen e të mërkurës.
Alma Xhafa dhe A. XH, janë përplasur nga një makinë tip "Benz" e drejtuar nga Klodian Haxhiu, 33 vjeç. Haxhiu ka qenë duke drejtuar automjetin e tij "Benz" me targa tirane dhe pas humbjes së kontrollit është përplasur me makinën tip "Land Rover" e drejtuar nga Roland Valea.
Nga përplasja e dy automjeteve, kanë mbetur të plagosur 45- vjeçarja dhe vajza e saj, në momentet kur po kalonin në trotuar. Dy personat që shkaktuan aksidentin janë arrestuar dje nga Policia e kryeqytetit, si autorë të një aksidentit me pasojë plagosjen e dy personave.
Klodian Haxhiu dhe Roland Valea, të dy banorë të kryeqytetit, janë arrestuar në flagrancë nga specialistët e seksionit Kundër Hetimit të Aksidenteve. Pas aksidentit, dy të plagosurat janë dërguar në Spitalin Ushtarak, ku janë nën kujdesin e mjekëve dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve të Policisë, drejtuesi i automjetit tip "Benz", nuk ka mundur të kontrollojë lëvizjet e makinës duke plagosur nënë e bijë. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.