Kapet me drogë këshilltari i PD
GJIROKASTER
Një kryeplak, kapet me 222 kg drogë. Reshat Ademaj 50 vjeç, është kapur nga Policia e Gjirokastrës, teksa po transportonte me automjetin e tij një sasi të konsiderueshme marijuane. Kryeplaku i fshatit Varfaj njëkohësisht anëtar i PD në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Delvinë, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në dalje të fshatit ku ai banon, së bashku me mjetin transportues të lëndës narkotike. Ka qenë një operacion blic i pagëzuar me emrin “Sopoti” i ndërmarrë nga ana e Policisë së Gjirokastrës, për të goditur trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike. Uniformat blu të Gjirokastrës, ishin vënë në dijeni se përmes malit Sopot në krye të fshatit Lazarat, disa persona ishin gati të transportonin me kuaj dhe kafshë të tjera transporti, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, që kishte për destinacion Delvinën ku më pas ecuria mund të ishte transporti përmes detit në drejtim të Greqisë. Rreth orës 01:00 të së dielës, operacioni startoi në malin e Sopotit dhe pas ndjekjes për disa orë të karvanit, që transportonte marijuanë, u bë e mundur që të arrestohej në flagrancë një prej autorëve të këtij transporti. Reshat Ademaj kryeplak i fshatit Varfaj është bllokuar nga policia në një ullishte së bashku me automjetin e tij si dhe sasinë narkotike. Ademaj është kapur në flagrancë, duke ngarkuar në karrocerinë e kamionit të tij tip “Mercedez-Benz” me targa të Delvinës 2767 A, 6 çanta shpine në brendësi të së cilave kishte marijuanë. Pas ngarkimit të çantave në karroceri, sipër tyre ai do të vendoste dru zjarri, për të maskuar ngarkesën nëse do të haste ndonjë postbllok policor gjatë udhëtimit. Kjo bëhej edhe më e besueshme, pasi Ademaj përfitonte edhe nga fakti se zotëron momentalisht licencë për shfrytëzimin e druve të zjarrit. E ndërsa Ademaj u prangos nga uniformat blu, dy shtetasit e tjerë, të cilët kanë qenë transportues të lëndës narkotike nga Lazarati e deri në Delvinë, kanë mundur të largohen menjëherë, duke u favorizuar nga errësira, terreni i vështirë dhe moti i keq. Policia ndërkohë pohon se ka arritur të identifikojë këta dy persona, por emrat e tyre nuk i ka bërë publikë për shkak të hetimit. Në çdo çantë kishte nga 37 kg marijuanë, ku gjithsej në total rezultonte një peshë prej 222 kg. Nga ana e saj Policia e Gjirokastrës ka bërë sekuestron e lëndës narkotike dhe kamionit që do ta transportonte atë, ndërkohë që mbi kryeplakun e fshatit Varfaj, Reshat Ademaj, rëndon vepra penale e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.