E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkonte në dyqan, rrëmbehet e përdhunohet 14-vjeçarja

 

E rrëmbejnë në mes të rrugës dhe e përdhunojnë për dy orë me radhë.Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Koxhas të Shijakut, ku e lënduara është vetëm 14 vjeçe ndërsa dhunuesit adoleshentë. E mitura sapo kishte dalë nga shtëpia, pak pas orës 08:00 të mëngjesit për të shkuar te një dyqan ushqimor pranë banesës, por pikërisht aty ra në kurthin e dy djemve. Njëri prej tyre 15 vjeç dhe tjetri 18 vjeç, fillimisht e kanë mashtruar, duke e tërhequr vajzën nga rruga kryesore e fshatit drejt një zone ku nuk shkelte njeri. Por, aty kanë nisur kërcënimet, duke e detyruar atë që t’u nënshtrohet dhunës së tyre. Për rreth 2 orë ata kanë abuzuar me të miturën, madje sipas policisë kanë arritur të kryejnë me të marrëdhënie seksuale. Askush nuk ka mundur t’i shkojë në ndihmë të miturës e ta shpëtojë nga maniakët, vetëm pak vjet më të mëdhenj se ajo. Vajza është lënë e lirë pasi kanë kaluar 2 orë, kohë e cila ka vënë në alarm dhe familjarët e saj. Ata kanë dalë ta kërkojnë vajzën, ndërsa e kanë parë atë të vinte drejt shtëpisë në gjendje tepër të rënduar, fizike dhe psikologjike. Me vështirësi ajo ka mundur t’i pohojë të ëmës se çfarë i kishte ngjarë. Nëna e saj nuk ka pritur më, duke iu drejtuar komisariatit të policisë së Shijakut për të hetuar dhe kapur autorët që shkaktuan pasojat e rënda tek e bija. Pasi kanë marrë përshkrimin fizik ndaj dy djemve, forcat e policisë së Shijakut janë vënë në kërkim të tyre. Dyshimet kanë rënë mbi dy djem po nga ky qytet, pikërisht mbi 15-vjeçarin A.Domi dhe 18-vjeçarin Ervis Smoqi. Ata janë shoqëruar fillimisht në komisariat, ku janë marrë në pyetje. Fillimisht ata nuk e kanë pranuar akuzën, por sipas policisë vetë vajza ka bërë njohjen e tyre. Sipas saj nuk kishte njohje me dy djemtë që e dhunuan, por ata i kishte hasur në mëngjes në rrugën pranë shtëpisë së saj. Nisur dhe nga provat e mbledhura në vërtetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, policia ka vendosur masën e arrestit për dy adoleshentët me akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura” dhe “heqjes së lirisë”. Çështja në ngarkim të tyre i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit, e cila ka kërkuar dhe përgjigjen zyrtare të ekspertëve mbi gjurmët e lëna gjatë përdhunimit nga të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›