E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me kokainë shoferi i ambasadës shqiptare

Autori i Lajmit: red.
Në një makinë të përfaqësisë sonë diplomatike në Itali është gjetur dhe sekuestruar 1 kilogram kokainë. Në pranga është vënë drejtuesi mjetit me targa diplomatike. Policia e shtetit fqinj bëri të ditur dje se shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, 33-vjeçari Arsen Selmanllari, është arrestuar, pasi në automjetin e tij me targa diplomatike u gjet 1 kg kokainë. Gjithashtu, bashkë më shoferin e ambasadës shqiptare, është arrestuar edhe një grua me origjinë shqiptare. Selmanllari ka replikuar me policinë, duke u mbrojtur pas një dokumenti që e cilësonte atë si përfaqësues diplomatik.
Arrestimi
Arrestimi i Selmanllarit, 33 vjeç, është bërë nga grupi hetimor i krimit të organizuar të Guardia di Finanzia-s së Milanos. Në makinën e tij me targa diplomatike, Selmanllari kishte fshehur plot një kg kokainë. Bashkë më shoferin e ambasadës shqiptare, është arrestuar edhe një grua shqiptare, emri i së cilës nuk është publikuar nga autoritetet italiane. Arrestimet janë kryer gjatë një kontrolli policor në autostradë në dalje të Milanos. Policia u ishte afruar dy shqiptarëve shumë qetësisht, por pyetjeve të tyre dy shqiptarët u janë përgjigjur në mënyrë nervoze. Policia i ka detyruar të dy të hapin bagazhin e makinës, ku u gjet dhe sasia plot 1 kilogram e kokainës. Selmanllari ka replikuar me policinë duke u treguar madje dhe një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë me emërtimin si përfaqësues diplomatik.
Imuniteti
Imuniteti i 33-vjeçarit Selmanllari zgjati vetëm pak orë, kur policia gjeti edhe kokainën. Arsen Selmanllari, dy net më parë, kishte qëndruar në dalje të Milanos, bashkë me një grua, duke parkuar në një zonë të ndaluar. Ky qëndrim ka tërhequr vëmendjen e forcave të grupit të hetimit të krimit të organizuar të Guardia di Finanza-s së Milanos, të cilët duke parë edhe nervozizmin e Selmanllarit në momentin e kontrollit të dokumenteve, vendosën të sekuestrojnë automjetin, duke zbuluar më pas në bagazhe dy qese që mbanin një kilogram kokainë.
Agjentët
Agjentët kanë kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ambasadën e Shqipërisë në Romë, për të marrë konfirmimin nëse Selmanllari ishte pjesë e trupit diplomatik shqiptar, për t u informuar nëse ai ishte i mbuluar me imunitet diplomatik. Por, ambasadori shqiptar ka komunikuar heqjen e imunitetit për punonjësin e ambasadës, duke çuar kështu në arrestimin e tij.
Ky lajm është publikuar: 26/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›