E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me pasaportë false, synonte hyrjen në Itali



Durrës – Donte të kalonte kufirin shqiptar me pasaportë të falsifikuar, por është ndalur nga policia. Burime nga uniformat blu bën me dije se shtetasi Angjelin Bala, lindur në Pukë dhe banues në Lezhë, u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë kufitare në Portin e Durrësit. Ai u ka paraqitur atyre një pasaportë jugosllave me numër 002016823 në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Është sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasaporta dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Kanosin klientët në lokal, qëllojnë me armë në ajër

Durrës – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sukth, përballë lokalit “Tropikal”. Pas një grindjeje për motive të dobëta janë kanosur me armë dhe goditur me qytën e pistoletës në kokë shtetasit Adratik Tota, Edison Farruku dhe Laurent Osmani. Burime nga radhët e uniformave blu thanë për gazetën “Albania” se forcat e policisë së Shijakut kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të ngjarjes si dhe kanë gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale armën tip pistoletë TT, të cilën autorët e kanë përdorur për kanosje dhe me të kanë qëlluar në ajër.

Bllokohen makinat e luksit, rezultuan të vjedhura në Francë dhe Itali

Durrës – Forcat e Policisë kanë realizuar gjetjen dhe bllokimin e disa automjeteve të vjedhura në Itali dhe Francë. Sipas të dhënave policore, është bllokuar automjeti tip “Audi Q-7” me targë DR 7492 E, ngjyrë e zezë, me numër shasie vavzzz4lx7d037305, e shpallur në kërkim, pasi ky mjet ka rezultuar i vjedhur në shtetin italian vitin e kaluar. Mjeti ishte në pronësi të 45-vjeçarit Ilir Jashari, banor i qytetit të Durrësit. Ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Është bllokuar edhe automjeti tip “BMW” seria 5 me targë KR 7040 A, ngjyrë blu, i cili rezulton i vjedhur në shtetin francez. Mjeti ishte në pronësi të shtetasit Eduart Bami, 33- vjeçar, banues në Krujë. Por edhe automjeti tip “Benz–Mercedes” me targa DR 8806 D, ngjyrë blu, i cili rezulton i vjedhur në shtetin italian. Ai iu gjet shtetasit Përparim Bermuça, banues në Xhafzotaj të Durrësit.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›