E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet e Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, akuza njëra-tjetrës për shkelje ligji

Zbardhen dy raportet e fundit të gjykatave, ku pasqyrohen shkeljet e bëra gjatë 2008-s. Apeli: Hodhën poshtë tërësisht vendimet që janë dhënë për dhjetë dosje

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykatat e krimeve të rënda, edhe pse të cilësuara si të suksesshme, kryejnë shkelje ligjore gjatë punës së përditshme. Ky konstatim vjen nga raportet e fundit të dy gjykatave, të cilat, në analizën e punës për 2008-n nuk kanë ngurruar të nxjerrin në pah shkeljet e njëra-tjetrës. Gazeta “Albania” ka mundur t’i sigurojë të plota këto raporte dhe sjell në këtë numër shkeljet që pranohen që janë konstatuar nga vetë gjykatat. Sipas hartuesve të këtyre raporteve, këto shkelje nuk janë vetëm me kosto për shtetin, por edhe shkelje të të drejtave të pandehurve.
Raporti i Apelit
“Për 10 çështje është vendosur ndryshimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda përsa i përket cilësimit ligjor, për pasojë edhe të masës së dënimit”. Kështu thuhet në raportin e Gjykatës së Apelit për analizën e punës së vitit 2008. Sipas të dhënave rezulton se për tetë çështje është vendosur prishje e vendimit të Shkallës së Parë dhe kthimin e akteve të kësaj gjykate. Shkaqet më të shumta kanë të bëjnë me shkelje procedurale në formimin e trupit gjykues me pasojë pavlefshmërinë e vendimit. Në raportin e Apelit janë evidentuar dosje konkrete duke u shoqëruar me shkeljet që pretendohet se janë bërë nga Shkalla e Parë.
Raporti i Shkallës së Parë
“Nëse në ndonjë rast vendimi i Gjykatës së Apelit ka qenë i drejtë e bindës sepse pjesëmarrja e anëtarit të trupit gjykues kishte shkak papajtueshmërie, në disa raste të tjera vendimi nuk ka qenë i drejtë”, - shkruhet në raportin e përgatitur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Pretendimi i tyre ka të bëjë me cenimin e vendimeve nga ana e Gjykatës së Apelit për shkakun se gjatë gjykimit të çështjes në përbërje të trupit gjykues ka pasur ndryshim të njërit prej anëtarëve të tij. Për këtë rast Apeli e ka cilësuar vendimin të pavlefshëm. Sipas gjyqtarëve të Shkallës së Parë, një qëndrim i tillë i Apelit nuk është bindës sepse në raste të veçanta del domosdoshmëri që për shkaqe të përligjura, në përputhje me normat procedurale dhe duke iu nënshtruar procedurave të shortit, ndonjë anëtar i trupit gjykues mund të ndryshohet.

Pjesë nga raporti i Apelit
1. Në Vendimin e dt. 14.10.2008 janë gjykuar të pandehurit Ismail Kllokoqi etj. dhe Gjykata e Apelit ka konstatuar se në trupin gjykues të asaj gjykate merrte pjesë një gjyqtar i cili kishte dhënë vendim për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit për njërin nga të pandehurit, për të cilin më vonë ka dhënë vendimin përfundimtar, duke qenë plotësisht në shkelje të pengesave të parashikuara në Nenin 15 të K. Pr. Penale

2. Në Vendimin e dt. 05.05.2008 është gjykuar i pandehuri Enver Dondollaku, anëtar i të ashtuquajturës banda e Lushnjës. Katër nga gjyqtarët e kolegjit kishin gjykuar pjesëtarë të kësaj bande për disa akuza, ndër to dhe për grup të strukturuar kriminal, ku në përbërje të tij konsiderohej dhe ky i pandehur. Për këtë shkak, për këta katër gjyqtarë është kërkuar nga mbrojtja përjashtimi i tyre dhe ndërkohë dy prej tyre kanë dhënë dorëheqjen. Por më pas, as gjykata nuk i ka përjashtuar dhe as kryetari nuk e ka miratuar dorëheqjen. Në këto kushte, Gjykata e Apelit i ka konsideruar këto gjyqtarë se nuk plotësonin kushtet për të qenë gjyqtarë në çështjen konkrete.

3. Në vendimin e dt.18.04.2008 është gjykuar i pandehur Kapllan Shehu etj., çështje për të cilën është formuar me short kolegji prej pesë gjyqtarësh. Dy prej këtyre gjyqtarëve kanë paraqitur dorëheqje pranë kryetarit të Gjykatës, por nuk është miratuar. Pas disa seancave është bërë një short i ri dhe janë caktuar pesë gjyqtarë të tjerë, pa u sqaruar se për çfarë shkaku largohen pesë gjyqtarët e mëparshëm nga gjykimi. Gabime të kësaj natyre janë të përsëritura nga kjo gjykatë edhe gjatë viteve të tjera ku ka pasur çështje të prishura për këtë shkak dhe vendimi i Gjykatës së Apelit është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë. Theksojmë se për vetë natyrën e çështjeve, me shumë të pandehur dhe kohëzgjatje të gjykimit, këto pakujdesi krijojnë pasoja për të pandehurit dhe shtetin.

4. Në vendimin e dt.16.12.2008 është gjykuar i pandehuri Rikard Murtaj. Gjykata e Apelit ka konstatuar në këtë dosje se në procesverbalin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë kishte 25 raste korrigjimesh, ndërhyrje këto që bënin të dyshimtë përmbajtjen e tij dhe për pasojë e bënin këtë vendim të pavlefshëm.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›