E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me pistoletë, do të hipte në avion

Rinas Policia dyshon për trafik armësh

Një emigrant i rregullt në Itali është kapur në Rinas me një pistoletë, pak para se të nisej për fluturim. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, kur rojat e sigurisë, në bashkëpunim me policinë kufitare, kanë gjetur armën në bagazhet e 25-vjeçarit nga Vlora. Laurant Dervishaliaj mësohet ta ketë fshehur armën në sendet personale, por u zbulua gjatë procesit të skanimit. Burime nga policia bëjnë të ditur se arma u bllokua në kohë, ndërkohë që sipas të dhënave paraprake përjashtohet çdo mundësi për ndonjë akt terrorist të planifikuar. Sipas të dhënave, arma ishte fshehur në bagazhe dhe në sendet personale të tij, që i mbante me vete në avion dhe nuk kishte asgjë për të dyshuar. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka pranuar të thotë asgjë, ndërkohë që dyshimet e policisë kanë të bëjnë me trafik armësh. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia se armën e ka marrë me vete për konflikte të ndryshme personale në Itali, ku ai jeton si emigrant i rregullt. Megjithatë, hetimet për këtë rast vazhdojnë dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›