E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësues e nxënës ndahen për 14-vjeçarin që qëlloi me armë

Bashkëmoshatarët, gati peticionin në mbrojtje të shokut. Mësuesit thirren për të dëshmuar në polici

Ngjarja që u regjistrua të premten në shkollën 9-vjeçare “Liri Kazazi” të qytetit të Lushnjës ka “ndarë” mësuesit dhe nxënësit. Ndërsa këta të fundit mbrojnë bashkëmoshatarin e tyre, i cili një ditë më parë terrorizoi shkollën, duke qëlluar me pushkë në drejtim të saj, mësuesit edhe një ditë pas kësaj ngjarje, mundohen ta veshin me tone të buta incidentin. Madje, një nga mësuesit i përfolur prej policisë dhe dëshmive nga vendi i ngjarjes si i përfshirë në sherr, është shprehur se ka ndërhyrë për zbutjen e situatës dhe se me nxënësin ka ruajtur komunikim të mirë gjatë gjithë kohës.

I mituri

Që nga momenti i arrestimit të nxënësit të klasës së nëntë, D. çekrezit, autoritetet e policisë lokale kanë kërkuar praninë e shërbimit të psikologut dhe trajtimin e kësaj ngjarje në një kamp burg për të mitur. Lajmi pohohet nga shefi i Komisariatit të Lushnjës, Latif Kulla, i cili ka thënë se është në përfundim procesi i dërgimit të çekrezit në një burg për të mitur.

Burimet e grupit të hetimit shprehen për gazetën “Shqip” se në më shumë se katër herë që është marrë në pyetje 14-vjeçari D. çekrezi ka këmbëngulur se reagimi i ashpër i ka ardhur pas debateve të vazhdueshme me mësuesit, sidomos me kujdestarin. “I arrestuari ka thënë se mësuesi kujdestar në mënyrë të vazhdueshme e shante dhe i bënte presion”, mësohet të jetë shkruar në dosjen hetimore të 14-vjeçarit çekrezi.

Burimet policore pohojnë gjithashtu se në mbrojtje të tij kanë dalë me dhjetëra bashkëmoshatarë, si dhe nxënësit e klasës ku fëmija vijonte klasën e nëntë. Sipas burimeve nga prokuroria dhe policia, mësohet se janë marrë në pyetje të gjithë nxënësit e klasës së 14-vjeçarit, por edhe dhjetëra nxënës të shkollës “Liri Kazazi”. Ajo që po vihet në dyshim nga grupi i hetimit lidhet me faktin se dëshmitë e bashkëmoshatarëve të adoleshentit të dhunshëm tregojnë se ky i fundit ka qenë objekt i fyerjeve të mësuesve. “Në klasë na bënte për të qeshur në çdo orë mësimi. Ishte çapkën, por jo i keq. Mësuesit e trajtonin gjithmonë si rrugaç, por edhe ai nuk ua përtonte, ua kthente fjalën”. Kështu ka shkruar në dosjen hetimore Albana, një bashkëmoshatare e 14-vjeçarit.

Por, ndryshe nga nxënësit e marrë në pyetje prej grupit të hetimit, mësuesit i janë kundërvënë çekrezit, duke u shprehur se ai ishte gjithnjë problematik. Edhe pse të premten mësuesit janë përpjekur për ta mbajtur hermetike ngjarjen, gjithçka është zbardhur.

Policia ka marrë në pyetje pothuajse të gjithë mësuesit e shkollës, të cilët janë thërritur për të dëshmuar tek oficeri i policisë gjyqësore dhe inspektori i ngjarjes.

Reagimi

Nxënësit e shkollës ku ndodhi ngjarja kanë thënë se do të nisin drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave një peticion në mbrojtje të bashkëmoshatarit të tyre. Një kopje e këtij peticioni do të shkojë pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore Fier. Pritet që e hëna të nisë me reagime dhe debate në shkollën 9-vjeçare “Liri Kazazi”. Po ashtu, gjatë javës në vazhdim pritet që të merren masa konkrete në rast të vërtetimit se mësuesit kanë nxitur situatën e së premtes.

Dy mësuesit e akuzuar nga adoleshenti i arrestuar janë Ibrahim Sina dhe Sokol Tushi. Ky i fundit ka hedhur poshtë përplasjet e mëparshme me D. çekrezin. Ai ka thënë se një ditë më parë ka ndërhyrë për të zbutur situatën dhe jo për të bërë presion ndaj nxënësit. Tushi ka thënë se “në fakt unë kam qenë pala zbutëse në palët që ishin përfshirë në konflikt”. Gjatë orës së dytë të mësimit, 14-vjeçari D. çekrezi grindet me mësuesin kujdestar, ku ka ndërhyrë edhe mësuesi i edukimit fizik. Pas acarimit të situatës deri në ushtrimin e dhunës ndaj tij, 14-vjeçari shkon në shtëpi, merr pushkën që i ati mbante me leje dhe me të në dorë qëllon në drejtim të shkollës. Ai është arrestuar tri orë pas ngjarjes dhe ka këmbëngulur që nga fillimi se mësuesit kanë qenë shkaktarët kryesorë të situatës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›