E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi me thikë kryepolicin e bashkisë, vetëdorëzohet në polici

Tropojë

Vetëdorëzohet në policinë lokale autori i plagosjes me thikë të kryepolicit të bashkisë së Bajram Currit. Gëzim Mulgeci, 25 vjeç, nga Tropoja, pas një grindjeje në lokalin e një bingoje, ka qëlluar me thikë Avni Gjuriçin, 39 vjeç, përgjegjës i efektivëve të policisë bashkiake. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të dy netëve më parë, teksa Gjuriçi dilte nga dera e lokalit. Që nga ai moment Mulgeci është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur tek disa të afërm të familjes. Kryepolici bashkiak ndodhet ende në Spitalin Ushtarak të Tiranë, por tashmë jashtë rrezikut për jetën. Drejtues të lartë të policisë së qarkut tregojnë se gjatë dy ditëve kur Mugleci ishte shpallur në kërkim, efektivët blu kishin bllokuar çdo shteg të mundshëm për të penguar largimin jashtë kufijve të autorit të ngjarjes së rëndë. I njëjti burim saktëson se policia ka zhvilluar negociata të vazhdueshme me njerëz të afërt të autorit për ta bindur atë që të vetëdorëzohet, pasi çdo tentativë për t’u larguar do t’i shkonte dëm dhe do të rëndonte mbi të. Nga ana tjetër, siç mësohet të ketë pohuar vetë i akuzuari, fakti që viktima Gjuriçi ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ka bërë që autori t’i drejtohet disi më i lehtësuar komisariatit të policisë, duke pranuar krimin. Mulgecët, prej disa vitesh, janë shpërngulur në Durrës, ndërsa autori i ngjarjes ndodhej në Bajram Curr tek të afërm për pushime. Familjarët e mbërritur në Tropojë, pas ngjarjes së rëndë, thanë se shpresojnë në pajtim me viktimën pasi ai t’i kthehet familjes, nëse do të pranojë ndjesën e 25-vjeçarit dhe të familjes së tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›