Vrau dhëndrin e mbesës, dosja dërgohet në gjykatë
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për Albert Dashin, i cili akuzohet për vrasjen e burrit të mbesës. Organi i akuzës ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të 35-vjeçarit. Pas regjistrimit të dosjes në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës, është kryer hedhja e shortit elektronik, ku dosja i ka rënë për shqyrtim gjyqtares Ariana Caco. Në ditët në vazhdim gjykatësja do të caktojë datën, orën, si dhe do të njoftojë të dyja palët për seancën e parë të procesit penal. Dashi akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje” të viktimës Armand Hasani dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ngjarja për të cilën akuzohet Albert Dashi ka ndodhur më 31 janar të këtij viti, ku 35-vjeçari vrau me pistoletë në kokë të dashurin e mbesës së tij, Armand Hasanin në rrugën “Qemal Stafa”, pranë zonës se njohur si Xhamlliku, në kryeqytet, pasi çifti prej disa kohësh jetese bashkë do të ndahej. Sipas hetimeve, ditën e ngjarjes i pandehuri Dashi, me një pistoletë në dorë, i ka prerë rrugën viktimës Armand Hasani, ndërsa ka nisur ta kërcënojë atë dhe ta fyejë. Pas debutimit mes tyre në lidhje me ndarjen apo jo të Hasanit me mbesën e Dashit, ky i fundit i ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka vendosur në kokë. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, i pandehuri e ka qëlluar më pas atë duke e lënë të vdekur. Pas krimit, i dyshuari u largua nga vendngjarja, ndërsa u arrestua disa orë më vonë në afërsi të ish-ndërmarrjes “Rruga Ura”.
#