E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengmarrësi Romeo Leka shtrohet në Spitalin e Burgut

Prokuroria për Krimet e Rënda vendosi shtrimin deri në përsëritjen e analizave për gjendjen mendore të tij

Pengmarrësi Romeo Leka, i cili grabiti edhe një bankë, do të shtrohet në Spitalin e Burgut. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur shtrimin e tij pas një sërë analizash të kryera. Pas kërkesës së bërë nga mbrojtja për përsëritjen dhe plotësimin e ekspertizës mjekoligjore, ku tregohet se Leka ka probleme mendore, akuza ka vendosur t’i drejtohet Spitalit të Burgut për të bërë edhe shtrimin e tij. Burime pranë akuzës kanë bërë me dije se Leka do të qëndrojë në Spitalin e Burgut, deri në përfundim të analizave të tij, pikërisht rreth 2 javë. Në përgjigjen e analizave të kryera nga Mjekësia Ligjore e vendit tonë rezultoi se Romeo Leka kishte çrregullime mendore, por ishte i aftë për t’u përballur me ligjin. Ndërkohë, mbrojtja duke kundërshtuar analizat e kryera kërkoi plotësimin e tyre, ose përsëritjen nga e para, pasi nuk ishte e saktë, si dhe marrjen për bazë të analizave të kryera në SHBA, ku tregohen edhe mjekimet që janë marrë për të pandehurin Leka, si pasojë e problemeve mendore që ai ka shfaqur. Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i komunikoi akuzën e vrasjes së emigrantit Renato Krasniqit në Athinë të pandehurit Romeo Leka. Ndërsa pritet që prokurori i çështjes, si dhe mbrojtja t’i drejtohen shtetit grek për t’u njohur me dosjen e plotë të tij. Romeo Leka, 25 vjeç, akuzohet për grabitjen e 30 milionë lekëve të vjetra në filialin e një banke te hotel “Rogner”, pas kërcënimit me armë që ishte bosh të sportelistes, ngjarje kjo e ndodhur më 19 mars të këtij viti. Sipas hetimeve, Leka ka dalë nga banka, por i është çarë qesja, ku ka kërkuar një qese të dytë të zezë. Pasi ka dalë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vërejtur se ishte duke u ndjekur nga policia. Leka i është drejtuar zonës së “Librit Universitar”, ku nën kërcënimin e një arme ka marrë peng studenten e Juridikut, Lori Latellarin, e cila sapo kishte dalë nga fakulteti. Për 35 minuta Leka i ka bërë shantazhe policisë, duke kërkuar edhe një automjet për t’u larguar, por më pas është arrestuar. Sipas hetimeve, vetëm një ditë përpara se të kryente grabitjen dhe pengmarrjen e vajzës Leka ka tentuar të vjedhë filialin e bankës “Union Bank” në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, si dhe i tentativës së vjedhjes me armë në Unazë të Re në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›