Kapet në Itali, vrau fqinjin për një gardh
Dy persona janë arrestuar në Itali dhe një tjetër është ekstraduar, pasi kërkoheshin nga drejtësia shqiptare për vepra të ndryshme penale. Një person, i cili nuk pati kurrfarë ngurrimi që t‘i marrë jetën fqinjit për një gardh, është arrestuar nga policia italiane ndërsa është dënuar nga drejtësia shqiptare me 18 vjet burg. Laver Danaj, 64 vjeç, lindur dhe banues në Amonicë të Vlorës, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë në datën 25 të këtij muaji, pra tri ditë më parë, në Viçenza të Italisë. Interpoli ka njoftuar pikërisht dje për këtë rast, ndërkohë që nga dosja penale e tij mësohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr. 68, datë 28 janar 2002, e ka dënuar Danajn me 18 vjet heqje lirie, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me dashje", si dhe për akuzat e "Prishjes së qetësisë publike" dhe "Armëmbajtjes pa leje". Ngjarja kriminale që i atribuohet Danajt, ka ndodhur më 10 gusht 1999, kur ai, atëherë 54-vjeçar, ka vrarë me armë zjarri fqinjin Arben Ademi. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi viktima ka prishur gardhin para shtëpisë së tij dhe e ka vendosur para shtëpisë së Laver Danajt. Pas debateve të krijuara, Laver Danaj ka hyrë në shtëpi ku ka marrë një automatik të cilin e kishte pa leje dhe ka qëlluar Arben Ademin, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, nga Interpol Roma është njoftuar se shqiptari Edison Begaj, 28 vjeç, lindur e banues në Vlorë, është arrestuar në Firence të Italisë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin e datës 11 dhjetor 2008, ka caktuar në ngarkim të tij masën e sigurisë "arrest në burg", për veprat penale të "Trafikimit të narkotikëve" dhe "Trafikimit të armëve dhe municioneve". Vepra penale për të cilën është akuzuar ky person ka ndodhur më datë 19 dhjetor të vitit të kaluar në fshatin Ndërmenas të Fierit, ku janë kapur dhe sekuestruar sasia prej 284 kg bimë narkotike, si dhe 5 armë zjarri automatike dhe municione. Këto i kishte në zotërim së bashku me shtetasit David Ismailaj, Erjon Dulaj dhe Albert Brahimi, të arrestuar në flagrancë. Ndërkaq, ditën e djeshme, nga Interpol-Tirana u krye ekstradimi i Arjan Kanes, 38 vjeç, lindur e banues në Fier. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, me vendimin nr. 56, datë 11 dhjetor 2007, e ka dënuar atë me 20 vjet burg. Arjan Kane, në dhjetor të vitit 2001 akuzohet se ka trafikuar në drejtim të Italisë të fejuarën e tij me inicialet H. Xh., të cilën e ka shfrytëzuar si prostitutë.