Qeveria do të vazhdojë investimin për modernizimin e mëtejshëm të arsimit në vend
Kryeministri Berisha përuroi dje përfundimin e punimeve për shkollën e re 9 vjeçare "Riza Shera", në fshatin Radë të komunës Maminas (Durrës)
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, gjatë një vizite në Maminas (Durrës) se "qeveria do të vazhdojë investimin për modernizimin e mëtejshëm të arsimit në vend". Zyra e shtypit pranë kryeministrisë bëri të ditur sot, se Kryeministri Berisha përuroi të enjten përfundimin e punimeve për shkollën e re 9 vjeçare "Riza Shera", në fshatin Radë të komunës Maminas, Durrës. Rikonstruksioni i kësaj shkolle është realizuar nga buxheti i shtetit, me një investim prej 30 milionë lekësh. Kryeministri vizitoi ambientet e shkollës, klasat, laboratorët dhe vlerësoi standardet e punimeve në këtë shkollë dhe mjediset e përshtatshme të krijuara për mësimdhënien. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha nënvizoi se "duke qëndruar pranë arsimit dhe dijes, qeveria qëndron pranë të ardhmes së kombit". Kreu i Qeverisë garantoi edhe njëherë se "brenda mandatit të dytë, në Shqipëri, nuk do të ketë shkollë që të mos rindërtohet, ose ndërtohet nga e para". "Ne jemi të vendosur të ngremë gjithnjë e më lartë piedestalin e misionarëve të dijes në Shqipëri", u shpreh ai. Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij edhe në investimet e qeverisë për këtë zonë, duke siguruar fermerët se "do të kenë urbanizim të plotë të zonës së tyre dhe qeveria do të financojë çdo projekt të komunave, në mënyrë që infrastruktura e tyre të jetë e njëjtë me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve". Duke vlerësuar rolin e biznesit të vogël si gjenerator të madh të punësimit në vend, Kryeministri nënvizoi se "biznesi i vogël do të ketë mbrojtjen e plotë të qeverisë". "Dje qeveria miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejon të ushtrohet presion i paarsyeshëm mbi bizneset. Biznesi i vogël është gjeneratori më i madh i punësimit në Shqipëri. Ndaj ne, sikundër kujdesemi për biznesin e madh, do të kemi kujdesin më të veçantë për biznesmenët e vegjël", vijoi Kryeministri. Në këtë mandat, theksoi Kryeministri, "mazhoranca ka mbajtur premtimet, por ajo kërkon votën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo për ato që ka realizuar deri më sot, por për ato që do të bëjë katër vitet që vijnë. Ne kërkojmë votën për të vazhduar ndryshimin e madh që kemi nisur", tha Kryeministri Berisha.
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju gëzimin e një shkolle të re, të një shtëpie të dytë të fëmijëve tanë, të pajisur me të gjitha mjetet më moderne, me mësues dhe nxënës të përkushtuar, me klasa që kanë 20 -25 nxënës, në standardin më të mirë europian.
Mazhoranca jonë e ka pasur dhe do ta ketë arsimin një përparësi madhore. Në këtë kontekst, ne kemi ndërtuar nga e para, apo kemi rindërtuar plotësisht, 1012 shkolla në mbarë vendin, në mënyrë që fëmijët tanë të zhvillojnë mësimin në shkolla moderne.
Unë ju garantoj se brenda mandatit të dytë, në Shqipëri, nuk do të ketë shkollë që të mos rindërtohet, ose ndërtohet nga e para. Ne do t’u japim fëmijëve tanë shkollat që ata kanë në imagjinatën e tyre, shkollat e pajisura me teknologjinë më të mirë të informacionit, shkolla të reja, shkolla me mësues të përkushtuar, shkolla në të cilat ata të marrin dijet e vërteta. Unë i siguroj mësuesit e Shqipërisë, për të cilët ne kemi bërë përpjekje më të mëdha se kurrë më parë, duke vendosur në 4 vjet dyfishimin e rrogave të tyre, pra i siguroj ata se e meritojnë plotësisht këtë qëndrim tonin ndaj tyre, pasi misioni i tyre fisnik është një mision përcaktues për të ardhmen e Radës, Durrësit dhe Shqipërisë.
Ne, jemi të vendosur të ngremë gjithnjë e më lartë piedestalin e misionarëve të dijes në Shqipëri, në mënyrë që asnjë fëmijë që përfundon klasën e 9-të të arsimit dhe ka dëshirë të ndjekë shkollën e mesme, të mos i mohohet kjo e drejtë, por të sistemohet në konvikte, t’i ofrohet bursa dhe të arsimohet. Dyert e universiteteve janë të hapura tërësisht. Nga 52 mijë studentë që kishim tre vite më parë, sot numërojmë mbi 115 mijë të tillë.
Fermerëve të Radës, të Maminasit, të të gjitha komunave të kësaj zone, u premtoj urbanizimin e plotë të zonës së tyre. Rruga që lidh Maminasin me Shën Pjetrin është në ndërtim e sipër dhe do të përfundojë brenda afateve të përcaktuara. Kjo rrugë, ashtu siç ju vet e shihni, është e standardeve më të mira.
Unë garantoj kryetarin e komunës suaj se ne do të financojmë çdo projekt për fshatrat e kësaj zone, në mënyrë që infrastruktura e tyre të jetë e njëjtë me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona. Ndaj, le të vazhdojmë raportin; ju përgatisni projektet, ne bëjmë financimin. Në këtë mënyrë ne i japim kësaj zone të mrekullueshme të gjithë infrastrukturën që meriton.
Sikundër, dua t’ju garantoj ju, fermerëve të kësaj zone dhe të gjithë Shqipërisë, se në datën 1 maj pensionet tuaja dyfishohen dhe më tutje, ju garantoj se brenda mandatit të dytë ato do të barazohen me pensionet e qytetit. Ne nuk do të pranojmë diskriminimin, sepse ju meritoni plotësisht të gjitha standardet.
Unë garantoj biznesin e vogël se do të ketë mbrojtjen e plotë të qeverisë. Dje, qeveria miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejon të ushtrohet presion i paarsyeshëm mbi bizneset. Biznesi i vogël është gjeneratori më i madh i punësimit në Shqipëri. Ndaj ne, sikundër kujdesemi për biznesin e madh, do të kemi kujdesin më të veçantë për biznesmenët e vegjël.
Ne po ecim në drejtim të mandatit të dytë. Në këtë mandat, për çdo njërin prej jush ne kemi mbajtur premtimet. Ne kërkojmë votën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo për ato që kemi bërë deri më sot, por për ato që do të bëjmë katër vitet që vijnë. Por votën ua kërkojmë atyre të cilët vlerësojnë dhe besojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është ndryshim i madh, atyre që vlerësojnë dhe besojnë se dyfishimi i rrogave të mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe pensioneve në fshat është ndryshim i madh, kërkojmë votën e atyre që besojnë se rritja e pensioneve në qytet, nga 48 në 70 për qind, përbën ndryshim të madh, kërkojmë votën e atyre që besojnë se investimi prej 1.6 miliardë dollar në fshatrat e Shqipërisë përbën ndryshim të madh, kërkojmë votën e atyre që besojnë se ndërtimi dhe rindërtimi i 1012 shkollave, shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e vendit, përbën ndryshim të madh.
Pra, ne kërkojmë votën për të vazhduar ndryshimin e madh që ne kemi nisur.
Edhe njëherë, gëzuar shkollën dhe së shpejti do të inaugurojmë së bashku rrugën dhe le të vazhdojmë drejt një mandati të dytë, ashtu siç e meritojmë plotësisht”.
...