Kapet në Tiranë kapoja shqiptar i trafikut në SHBA
TIRANË – Një nga shqiptarët më të kërkuar nga Drejtësia amerikane për trafik droge është prangosur në orët e vona të dy ditëve më parë në një nga lokalet e kryeqytetit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se kanë arrestuar rreth orës 20:00 të ditës së mërkurë shtetasin Gazmir Gjoka, lindur në Tiranë dhe me banim në SHBA. Ai akuzohet në Nju Xhersi për trafik droge të organizuar. Më 2 mars të këtij viti u kapën me dhjetëra persona dhe sasi të konsiderueshme parash. Gjoka dyshohet se bashkë me dy shqiptarë të tjerë ishin kapot e trafikut të drogës. Por vetëm dy ditë më parë ai është prangosur në një restorant në kryeqytet, pas sinjalizimeve që u dhanë shërbimet amerikane autoriteteve për vendndodhjen e tij.
Operacioni
Operacioni për kapjen e tij është realizuar nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. “Autoritetet e Interpolit amerikan në Uashington kishin bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar për Gjokën, pasi rëndonte akuza e shitjes dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, - thuhet në deklaratën e Policisë. Më 12 mars të këtij viti, Gjykata e Nju Xhersit kishte dhënë vendimin “arrest në burg” në mungesë për Gazmir Gjokën, pasi akuzohej për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit informon se pas arrestimit të të kërkuarit nga Drejtësia amerikane, ai do të ekstradohet në drejtim të Nju Xhersit, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tij.
Në momentin e realizimit të operacionit Gazmir Gjoka ndodhej në një lokal pranë stadiumit “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Trafiku
Policia amerikane nuk arriti ta ndalojë Gazmir Gjokën, ndonëse kishte nisur procesi gjyqësor për veprat penale që rëndonin ndaj tij. I shumëkërkuari ka mundur të kalojë ilegalisht nga SHBA-të dhe të kthehet në vendin e tij të lindjes. Por agjentët e FBI-së kanë survejuar të gjitha lëvizjet e tij. Madje, kur kanë marrë informacionet për ardhjen në Shqipëri të të akuzuarit për trafik, u kanë dhënë sinjale autoriteteve shqiptare, duke u kërkuar prangosjen dhe dorëzimin para Drejtësisë.
Në mars të këtij viti agjentët e FBI-së në SHBA arritën të zbulojnë një rrjet të trafikut të drogës dhe armëve. Grupi kriminal, sipas hetimit, përbëhej prej 26 personave, nga të cilët 17 janë vënë në pranga, ndërsa nëntë të tjerë janë shpallur në kërkim. Një gazetë amerikane në SHBA publikoi më 2 mars lajmin dhe fotot e shqiptarëve së bashku me avionët e bllokuar, pasi i kishin përdorur në trafikimin e drogës dhe të armëve. Sipas gazetës, shqiptarët që drejtonin rrjetin e drogës janë Myfit Dika, 44 vjeç, Gazmir Gjoka, 55 vjeç dhe Kujtim Lika, 44 vjeç. Mes personave të arrestuar janë edhe tetë shqiptarë të tjerë, vëllezërit Ervis dhe Galitiano Gjoni, Minir Rizvani, Roden Kote, Alban Tase, Gejsi Siko dhe Gentian Naçi, si dhe Përparim Billa. Aktiviteti i këtij grupi kriminal, që vepronte kryesisht në Nju Xhersi, Filadelfia dhe Çikago, ishte në hetim që prej vitit 2003. Infiltrimi i agjentëve të FBI-së në radhët e grupit ka mundësuar sigurimin e provave filmime, që implikonin 26 të dyshuarit në trafikun e drogës dhe armëve. Operacioni i koduar "Shqiponja e zezë" ka arritur të sekuestrojë dy avionët me të cilët realizohej trafiku i lëndëve narkotike, kryesisht ekstazi, heroinë dhe kokainë, drejt Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Holandës dhe Kanadasë. FBI-ja ka arritur të sekuestrojë edhe 500 mijë dollarë, të përfituar nga trafiku i drogës. Sipas së përditshmes amerikane "Wins", bëhet e ditur se drejtuesit e grupit, Myfit Dika, Gazmir Gjoka dhe Kujtim Lika, janë nga Shqipëria dhe banonin në Nju Xhersi. Që nga ajo periudhë Gjoka ishte shpallur në kërkim dhe vetëm mbrëmjen e dy ditëve më parë u bë e mundur kapja e tij. Tashmë pritet ekstradimi drejt SHBA-ve, ku Gazmend Gjoka do të përballet me akuzat për trafik ndërkombëtar droge.
13 Nentor 2009