E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyt babanë për 180 mijë lekë



Albert Gjoka

GRAMSH – Vetëm për 180 mijë lekë një adoleshent ka mbytur me duart e tij babanë 75-vjeçar. Krimin e atëvrasjes e ka bërë në bashkëpunim me një person tjetër, por gjurmët e gishtërinjve dhe shenjat në qafën e plakut i kanë nxjerrë të zbuluar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e së mërkurës në fshatin Lenije të Gramshit. Fshatarët kanë gjetur në një vend jo larg shtëpisë trupin e pajetë të Seit Hasës. Të gjithë kanë menduar për momentin se vdekja mund të kishte qenë natyrale, por dyshimet dhe më pas hetimet e ekspertëve antikrim kanë dalë me konkluzionin se plaku ishte vrarë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se shtetasi Seit Hasa, lindur dhe banues në Lenije të rrethit të Gramshit është mbytur nga djali i tij, Maksim Hasa, i cili, sipas policisë, ka pasur bashkëpunëtor në ngjarje edhe bashkëfshatarin e tij, Artur Osmani. Ky i fundit është shoqëruar mbrëmjen e së mërkurës në polici dhe kanë nisur verifikimet për të provuar nëse edhe ai ka qenë realisht vrasës bashkë me djalin plëngprishës.
Vrasja
Sapo është zbardhur dita disa banorë të fshatit Lenije kanë parë trupin e pajetë të një të moshuari. Pasi kanë bërë verifikimet, rezultoi se ai ishte i vdekur dhe ishte e kotë ndihma mjekësore. Fillimisht banorët menduan se ishte një vdekje natyrale për shkak të moshës së thyer. Ata kanë njoftuar policinë, e cila dërgoi shërbimet policore në përbërje të të cilit ishte edhe një grupi hetimor. “Nga veprimet e para procedurale të kryera nga ana e tyre u konstatua se kufoma kishte shenja dhune në pjesën e fytit dhe dyshohet të jetë mbytur”, - tha zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Elbasanit në një konferencë për mediat që dha dje lidhur me këtë ngjarje. Pjesëtarë të familjes dhe të afërm të viktimës kanë pohuar se gjendja shëndetësore e 75-vjeçarit nuk linte për të dëshiruar. Dyshimet se mund të ishte një krim brenda familjes kanë lindur kur në shtëpinë ku gjendjen i vdekur Seit Hasa nuk ndodhej i biri i tij 19-vjeçar.
Hetimi
Pas hetimeve të para, policia kërkoi informacion për gjithë pjesëtarët e familjes Hasa. Njëri prej tyre, Maksimi, 19-vjeçar, kishte qenë në mbrëmje në shtëpi dhe të nesërmen askush nuk e dinte vendndodhjen. Për aq më tepër, bashkëshortja e Seitit ka denoncuar edhe zhdukjen e një shume prej 180 mijë lekësh të rinj në banesën e saj. Policia mori masa dhe brenda disa orësh ndaloi Maksim Hasën, të cilin e pyeti në lidhje me shkaqet e këtij krimi. 19-vjeçari ishte me precedentë penale për strukturat e policisë, pasi ishte dënuar një herë për veprën penale të vjedhjes. Djali ishte parë nën shoqërinë e bashkëfshatarit të tij, Artur Osmani, i cili banonte në Korçë, një ditë përpara vrasjes. Burimet policore sqarojnë se Maksim Hasa po udhëtonte drejt Durrësit. Dyshimet i kanë çuar ekspertët për të parë shenjat e gishtërinjve të 19-vjeçarit dhe të gjurmëve në qafën e viktimës, të cilat, sipas policisë, rezultojnë të jenë të njëjta. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se “falë punës së bërë nga ana e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit u bë i mundur zbulimi i autorëve të ngjarjes kriminale, si dhe në bazë të urdhrave të ndalimit të lëshuara nga Prokuroria e Elbasanit, u bë ndalimi i shtetasve të kësaj ngjarje; Artur Osmanit, 34 vjeç dhe Maksim Hasës. “Ndalimi i tyre u bë pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë shtetasin Seit Hasim Hasa”, - tha zëdhënësja e policisë, Valbona Begu. Sipas saj, “shtetasi Maksin Hasa është i ndihmuar nga shtetasi Artur Osmani për mbytjen e babait të tij, me qëllim për t’i marrë paratë”. Dy autorët janë ndaluar dhe materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë, pasi ata akuzohen për veprën penale të “vrasjes me dashje, të kryer në bashkëpunim”. Muajt e fundit janë rritur në mënyrë të ndjeshme krimet e vjedhjeve, të grabitjeve, apo edhe të grabitjeve me armë, ku nuk kanë munguar as viktimat.

Plagos me armë të miturin pas një sherri banal

TIRANË – Një konflikt për motive banale mes 25-vjeçarit dhe një të mituri ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit, ku ka mbetur i plagosur rëndë ky i fundit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Don Boskos në kryeqytet, ku shtetasi Emiljano Dollapi ka qëlluar me armë zjarri 14-vjeçarin E. J. Sipas tyre, i lënduari është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku pas ndihmës mjekësore, e kaloi rrezikun për jetën. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thonë se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje banale mes të miturit dhe 25-vjeçarit. Dollapi akuzohet për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›