Këmbë e re artificiale për të sëmurët me diabet
Një këmbë e re artificiale, tashmë ka dalë në treg dhe fillimisht po u ofrohet ushtarëve amerikanë që kanë humbur këmbët në luftë në Irak e Afganistan, si dhe njerëzve që vuajnë nga diabeti dhe si pasojë kanë humbur këtë gjymtyrë. Kjo protezë quhet Proprio Foot apo Këmbë e vërtetë. Ajo kushton rreth 12 mijë dollarë dhe për nga veprimet i afrohet shumë këmbës së vërtetë. Projekti për krijimin e një këmbe të tillë artificiale u financua nga qeveria amerikane për t’u ardhur në ndihmë ushtarëve të saj të plagosur në Irak e Afganistan. Në sajë të përparimeve teknologjike, kjo këmbë protezë lëviz thuajse njësoj si këmba që ajo zëvendëson, duke reaguar ndaj sinjaleve që dërgojnë muskujt e pacientit. Disa prej këtyre gjymtyrëve janë pajisur edhe me ndiesorë dhe mikropërçues duke i bërë ato t’i kryejnë veprimet vetë, natyrshëm, pa sforcim të pacientit.
Përdorimi
Një shembull është Proprio Foot, që Bradly Peterson përdor. Kjo këmbë është prodhuar nga një firmë protezash në Islandë, me fonde të qeverisë amerikane. Peterson thotë se veçanërisht kur ngjit shkallët ai nuk sforcohet fare. Këmba artificiale i kryen vetë të gjitha veprimet. Këmba artificiale vihet në veprim me bateri dhe është pajisur me një program kompjuterik që përdor ndiesorë për të dërguar informacionin tek një mikroprocesor, i cili sinjalizon një aktivizues për t’iu përshtatur lëvizjes së pacientit. Peterson mund të mbathë lehtësisht këpucë atletike apo këpucë të çdo lloji e për çdo rast. Firma prodhuese thotë se kjo është këmba e parë protezë inteligjente. Tani për tani, kjo këmbë kushton 12 mijë dollarë, çmim që zakonisht pritet të bjerë, ashtu siç ndodh në treg pak pas daljes së prodhimeve të reja.
Tumori
Mjekët i bënë një analizë biopsie tumorit të senatorit Edëard Kennedy dhe njoftuan dje, se ai është malinj. Demokrati dhe mishëruesi i politikave liberale amerikane pësoi një krizë konvulsive të shtunën në mëngjes në shtëpinë e tij në shtetin Masaçusets. Mjekët e senatorit Edëard Kennedy zbuluan një tumor në indet që mbështesin strukturën e nervave në tru dhe në shtyllën kurrizore. Termi për këtë tumor është glioma malinje. Dhe një nga simptomat e zakonshme janë krizat konvulsive. Senatori Kennedy u dërgua me urgjencë në spital pas kësaj krize. Instituti Kombëtar i Kancerit thotë se gliomat malinje janë tipi më i zakonshëm i kancerit në tru tek të rriturit. Askush nuk e di shkakun e këtij tumori por faktorët e rrezikut janë disa. Burrat mund të preken prej tij më shumë se gratë. Të bardhët preken më shumë se racat e tjera. Mosha është gjithashtu një faktor. Një tumor i tillë shfaqet më shpesh në moshat mbi 70 vjeçare.
Diagnostikimi
Tumoret në tru mund të diagnostikohen me disa mënyra duke përfshirë skanimin dhe biopsinë. Sëmundja është shumë e vështirë të kurohet, por teknologjia e re mund të ndihmojë në këtë drejtim. Në qendrën mjekësore të Universitetit Duke në shtetin e Karolinës së Veriut, mjekët kryejnë një radiokirurgji preçize në tumor me një pajisje të quajtur Novalis Tx. Doktor John Kirkpatrik thotë se kjo teknologji është një zbulim i rrallë. “Kjo na ndihmon të fusim një dozë të lartë mjekimi në tumor, pra ta vemë tumorin më mirë nën kontroll duke mos prekur strukturën normale të trupit”,- thotë ai. Mjekët e Senatorit Kennedy nuk e kanë përcaktuar ende metodën e kurimit. Por Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit thotë se rezultetet e pacientëve me gliomë malinje nuk janë të suksesshme. Megjithatë instituti rekomandon ndërhyrje kirurgjikale për të gjitha tumoret në tru të pasuara me rrezatime apo kimioterapi.
Operacioni Lasik
Agjencia federale që kujdeset për cilësinë e ushqimeve dhe ilaçeve po shqyrton edhe një here një procedure mjaft të përhapur mjekësore siç është operacioni Lasik në sy që i bën njerëzit të shohin pa ndihmën e syzeve apo lenteve të kontaktit. Miliona vetë i janë nënshtruar kësaj procedure, megjithatë disa pacientë thonë se vazhdojnë të kenë probleme edhe pas operacionit.“Shikim të përsosur sa hap e mbyll sytë”, ky është premtimi që është përmbushur për rreth 95 për qind të pacientëve. Por çfarë ndodh me 5 përqindëshin tjetër, që pas procedurës shikon turbullt, nuk mund të shikojë natën, apo sheh hije e xixa e yje.
Barbara Berney thotë se tani pas operimit nuk sheh as për t’i dhënë makinës dhe e ka tepër të vështirë të shikojë rrugën që ecën. Dhe Barbara nuk është vetëm. Aby Ellin thotë se operacioni Lasik e ka lënë atë me tharje kronike të syve. Ajo ndjen dhimbje dhe i duket sikur sytë i janë mbuluar me një perde që nuk e lë të shohë qartë.
Studimi
Tani, 10 vjet pas miratimit të kësaj procedure, Agjencia amerikane për ushqime dhe ilaçe po përgatit kryerjen e një studimi në shkallë kombëtare për të pare gjendjen e pacientëve që janë trajtuar me këtë operacion. Doktor Roy Rubenfeld, i cili ka kryer mijëra operacione Lasik, këmbëngul se komplikacionet nga kjo procedure janë të rralla, madje suksesin e saj ai e quan një rast të pashembullt në mjekësi. Doktor Rubefeld thotë se çdonjëri që mendon t’i nënshtrohet një operacioni të tillë duhet të marrë parasysh edhe rreziqet. Lasik, një akronim për Laser-Assisted In Situ Keratomileusis, që don të thotë ndërhyrje në sy me ndihmën e rrezeve Lazer, kryehet për të ndryshuar formën e kornesë për të eleminuar apo pakësuar nevojën e përdorimit të syzeve. Procedura nuk zgjat më shumë se 20 minuta për të dy sytë dhe pacienti nuk ndjen ndonjë dhimbje. Agjenica e ushqimeve dhe ilaçeve tani po grumbullon dëshmitë e mjekëve dhe pacientëve për të vendosur nëse vendimi për lejimin e një procedure të tillë duhet ndryshuar ose jo.
Përgatiti: Jonida Tashi
22 Maj 2008