Kapet në sallë Interneti duke shitur drogë
TIRANE - Një 31-vjeçar është arrestuar mëngjesin e djeshëm në ambientet e një internet-kafe, pranë Urës Teknologjike, me disa qese me hashash, që kishin një peshë totale prej 780 gramë. Burime nga policia thanë se lokalin e internetit, ku ai u arrestua, e përdorte për t’iu shpërndarë bimën narkotike klientëve të barit, që në fakt ishin kthyer edhe në klientë të tij. Policia e Tiranës pohoi dje se ka arrestuar në flagrancë 31-vjeçarin Selim Goduni, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Burime nga policia thanë se, Goduni dyshohet se vepronte duke shpërndarë bimë narkotike në zonën e Unazës së Re në Tiranë, nga Dogana deri tek Ura Teknologjike. Arrestimi i tij u krye në flagrancë, falë disa informacioneve operative të mbledhura nga policia për veprimtarinë e të dyshuarit.