E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorja shtatzënë: Si u traumatizova në Gërdec



Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës u njoh dje me gjashtë dëshmi të reja në procesin në ngarkim të 29 të pandehurve, të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit në 15 mars të vitit 2008. Të gjithë dëshmitarët, ish-punëtorë në fabrikën e demontimit të municioneve, treguan për kushtet e punës dhe momentet e shpërthimit të saj, ngjarje e cila vrau 26 persona dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Dëshmitarja Ermira Berisha tregoi dje se ishte shtatzënë, teksa punonte në fabrikën e Gërdecit. Dëshmitarja u shpreh se kishte dëgjuar një plasje përpara se të ndodhte shpërthimi i 15 marsit 2008, që i kishte shkaktuar asaj traumë psikologjikë dhe probleme shëndetësorë, por i kishte kursyer jetën e foshnjës së palindur ende. “Kam ndenjur 2 muaj e gjysmë në kurë intensive me psikologë. Dëgjoja zhurma dhe më dukej sikur shikoja flakë në çdo moment”, tha dje para gjykatës, dëshmitarja. Sipas dëshmitares, ditën e ngjarjes ishte dëgjuar një plasje dhe pastaj kishte rënë zjarri. “U dëgjua një plasje dhe pastaj ra zjarri. Zjarri ra pranë derës së fabrikës”, u shpreh dëshmitarja. Kjo pjesë u kundërshtua nga prokurorët e çështjes. Sipas tyre, referuar deklarimeve të dëshmitares në Prokurori në vitin 2008 nuk ishte pohuar prania e një plasjeje para shpërthimit të flakëve. Dëshmitarët Thëllëza Gjoka dhe Hasan Dedej pohuan dje se, pas punësimit në fabrikë kishin firmosur një fletë, por pa e ditur nëse bëhej fjalë për rregullore të sigurimit teknik, apo tjetër. Bledian Baha dëshmoi në gjykatë se pas një rasti zjarri në fabrikë, ai kishte braktisur punën. “Ra një zjarr i vogël që u fik me kova uji. Të nesërmen unë ika nga puna, pasi pashë rrezikun që më kanosej”, tha Baha. Dëshmitarët Mehmet Plloçi dhe Elton Hasa treguan për procesin e punës në fabrikë. I pandehuri Dritan Minxolli, reagoi dje kur prokurori pyeti një dëshmitar për presidentin e firmës që punonte në Gërdec. “Albademi” ka pasur vetëm dy administratorë bashkëortakë, Mihal Delijorgji për palën shqiptare dhe Patrik Henry, për palën amerikane”, tha Minxolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›