Kukës, pranga “zv.shefit” të Interpolit
KUKES - Policia e kufitare e Kukësit arrestoi 49-vjeçarin Ylli Allushi nga Tirana, teksa po tentonte të kalonte për në Kosovë mbrëmjen e së enjtes. Sipas burimeve të policisë, gjatë kontrollit të kryer, blutë i kanë kërkuar Allushit dokumentet e identifikimit (pasaportën). Por 49-vjeçari u ka paraqitur atyre një dokument, sipas të cilit ai ishte me detyrë zëvendësshef në zyrat e Interpol Tiranës. Paraqitja e tij si një prej punonjësve të kësaj zyre ka vënë në dyshim blutë e Kukësit, të cilët kanë nisur menjëherë verifikimet. Por gjatë verifikimit të kryer, emri i tij nuk figuroi si punonjës i policisë dhe aq më tepër si drejtues i saj. Pasi zbuluan tentativën e mashtrimit, policia kufitare e arrestoi atë për falsifikim të dokumenteve, por ndërkohë kanë nisur edhe hetimet për të zbuluar motivin e posedimit të një dokumenti si zyrtar i policisë. Paraprakisht u dyshua se 49-vjeçari e përdorte dokumentin për të pasur lehtësira në kalimin e kufirit me mjetin e tij. Por më pas u shtua edhe një pistë tjetër. Burime të policisë bënë të ditur se ka dyshime se Allushi të ketë mashtruar persona të ndryshëm kryesisht në Kosovë, me qëllime përfitimi. Blutë nuk përjashtojnë as pista të tjera, të cilat janë duke u hetuar. j.h