Kapet pas 15 vjetësh i dënuari për vrasje
ELBASAN- Arrestohet një i shumëkërkuar për vrasje në Elbasan. Seksioni i kërkimit në Drejtorinë e Policisë së qarkut Elbasan ka vënë në pranga shtetasin, Haxhi Kuqja 47 vjeç, me banim në Shalës, pasi ishte dënuar nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Elbasan, me 23 vjet burg, për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe në bashkëpunim. 47-vjeçari akuzohet se ka kryer krimin e rëndë të vrasjes në bashkëpunim, në vitin 1996. Që nga kjo kohë, Haxhi Kuqja dyshohet se është fshehur në shtetin fqinj, Greqinë, dhe ka mundur t’u fshihet forcave të policisë. Pas një pune disamujore investiguese, u arrit të identifikohet dhe të lokalizohet vendndodhja e tij dhe arrestimi nga policia. Gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan ka arrestuar disa persona të akuzuar dhe dënuar për ngjarje të vjetra kriminale, të zbardhura së fundi. F.S.