E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Policia po manipulon plagosjen e militantit tonë

Partia Socialiste akuzon Policinë e Shtetit se po shtrembëron të vërtetën, dhe “po manipulon” incidentin e ndodhur gjatë mitingut të dy ditëve më parë te qendra “Kristal” në Tiranë. Gjatë një konfliktit mes militantëve PS- LSI, mbeti i plagosur simpatizanti i Partisë Socialiste, 16-vjeçari Ali Doçi. Të mërkurën u njoftua arrestimi i 21-vjeçarit Arbër Ristani, së bashku me 9 persona të tjerë, ndërsa Ristani u arrestua si autori direkt i kësaj plagosje. Në mbrëmjen e së mërkurës deputetë socialistë mohuan përfshirjen e Ristanit, madje shtuan se në fakt Ristani është militant i kësaj partie dhe shok i të plagosurit Ali Doçi. Kontrastet në pretendimet e policisë dhe të Partisë Socialiste kanë vazhduar dhe dje, ndërsa policia rinjoftoi zyrtarisht se 21-vjeçari i arrestuar dyshohet për plagosjen, ndërsa Partia Socialiste e quajti të turpshme këtë këmbëngulje nga ana e policisë. “E konsiderojmë të turpshme deklaratën e policisë për barbarinë e dy ditëve më parë, ku u qëllua me thikë një djalë pjesëmarrës në takimin elektoral në njësinë 5. E dinë të gjithë që disa rrugaçë të ardhur pas shpine, të LSI-së, sulmuan fundin e turmës ku gjendej dhe djali i cili u godit me thikë. Me një deklaratë të tillë policia jo vetëm nuk sqaron shkakun, po kriminalizon edhe viktimën”, u shpreh dje përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa. Gjithashtu, avokati mbrojtës i Arbër Ristanit, Bledar Skënderi, tha se ndalimet dhe arrestimi ishte një inskenim i policisë për të thënë që sherri ka ndodhur mes simpatizantëve të PS-së. “Ne mendojmë se ky është një inskenim i kryer nga policia, për të thënë që ishte një sherr banal, ndërkohë që dyja palët janë aktivistë të PS-së dhe sherri është kryer mes tyre, por kjo absolutisht nuk është e vërtetë”, tha avokati Skënderi, ndërsa e quajti të kundërligjshëm procesverbalin e prerjes së fletë-arrestit në flagrancë ndaj 21-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›