Burgaj: Trupat speciale nuk lëvizin dot pa urdhrin e krerëve të policisë
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit , Hysni Burgaj, i pyetur në lidhje me përplasjen Prençi-Peka, ka deklaruar më së pari se kjo është një çështje që tashmë i takon prokurorisë, por duke mos harruar të theksojë se në asnjë rast dhe rrethanë trupat speciale nuk mund të lëvizin pa urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. “Është një konflikt që nuk përfshin as misionin dhe as detyrat e Policisë së Shtetit. Çështja është në prokurori. Unë dua t’ju siguroj për një gjë, ju dhe gjithë qytetarët shqiptarë, që Policia e Shtetit ka arritur të jetë në standarde të larta dhe në respekt të procedurës. Këtu dua të theksoj që askush në Policinë e Shtetit nuk ka të drejtë dhe nuk mund të lëvizë dhe të vejë në veprim asnjë nga Forcat Speciale të Republikës së Shqipërisë, pra të Policisë së Shtetit pa urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, - ka deklaruar dje Burgaj për mediat. Aktualisht prokuroria ka administruar padinë e drejtorit të trupave speciale, Shemsi Prençi, dhe kundërpadinë e ministrit në detyrë Avenir Peka. Prençi ka pretenduar se është telefonuar nga Peka 4 herë, ku i është kërkuar me ngulm nxjerrja e trupave speciale dhe dërgimi i tyre në Bathore, ndërsa në ato momente mes militantëve të PD-së dhe PS-së kishte një tension në rritje dhe njëra prej rrugëve ishte bllokuar. Peka nga ana e tij ka mohuar kategorikisht këto akuza të Prençit, duke e paditur atë për shpifje një ditë më pas. Pas kësaj përplasjeje krejt të pazakontë në rangjet më të larta të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka dashur nga ana e tij të garantojë qytetarët për seriozitetin dhe gatishmërinë maksimale të policisë, veçanërisht në klimën e fushatës elektorale. “Me këtë rast, u bëj një thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në këto momente gjatë këtij muaji zgjedhor, të ruajnë qetësinë, të shmangin konfliktet, të njoftojnë në çdo rast Policinë e Shtetit, të kenë besim të plotë në strukturat e Policisë së Shtetit”, ka deklaruar Burgaj. Ai e ka bërë këtë deklaratë në lidhjen me përplasjen Prençi-Peka gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Brendshme në lidhje me barazinë gjinore brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Burgaj nga ana e tij është zotuar për marrjen e masave të përkohshme për arritjen e barazisë gjinore në radhët e Policisë së Shtetit. “Kjo, na obligon të gjithëve ne punonjësit e Policisë së Shtetit, të përkrahim, të vlerësojmë dhe të veprojmë duke u mbështetur në vlerat e diversitetit dhe krijimit të mundësive të barabarta, për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë në radhët tona, por edhe për të gjithë punonjësit e policisë, pavarësisht përkatësive gjinore, etnike apo raciale”, tha Burgaj, duke nënshkruar dhe deklaratën mbi diversitetin në Policinë e Shtetit. Kjo deklaratë dhe iniciativa e Policisë së Shtetit për gjetjen e masave të veçanta të përkohshme për arritjen e barazisë gjinore. “Diversiteti është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Policisë së Shtetit. Një polici me përfaqësim të të gjitha grupeve shoqërore, etnike, raciale apo kulturore do të rriste ndjeshëm besimin te qytetarët, transparencën dhe cilësinë e shërbimit që ajo ofron. Policia e Shtetit kërkon që të jetë ndër institucionet pararojë të promovimit të Diversitetit dhe Barazisë Gjinore”, deklaroi dje Burgaj.