E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet pas 22 orësh Reshit Adri, vrau kushëririn, i rezistoi policisë

14/01/2009  Pas vetëvrasjes së të birit ai shfaqi shenja serioze të çrregullimit mendor

KORÇE - Pas një operacioni policor që ka zgjatur pothuajse 22 orë, policia e Korçës ka mundur të arrestojë 46/vjeçarin Reshit Adrin, banor të fshatit Podgorie në rrethin e Korçës, vrasësin e bashkëfshatarit të tij Lulëzim Laze. Në të njëjtën kohë Adri kishte plagosur edhe një prej bashkëfshatareve të tij, Shpresa Çaçkën, e cila aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë 46-vjeçari ka rrezikuar seriozisht edhe forcat e policisë, pasi këto të fundit janë gjetur nën breshërinë e armëve të tij. Sipas burimeve policore, kapja e tij u bë e mundur vetëm në orën 9:30 minuta të mëngjesin e ditës së martë. Kapja e vrasësit ka qenë një nga operacionet më të vështira të policisë. Aksioni për kapjen e tij ka filluar rreth orës 17:00, pasditen e së hënës dhe ka përfunduar vetëm pas 22 orëve, kur për kapjen e tij është dashur edhe ndërhyrja e forcave speciale të ardhura nga Tirana. Reshit Adri për gati dy muaj me radhë vuante nga depresioni, madje jo vetëm kaq, kohët e fundit ai kishte shfaqur shenja serioze çrregullimesh. Veç kësaj, orët e vona të natës e bënë të pamundur kapjen e Reshit Adrit. Fill mbi fshatin e Podgories shtrihet Mali i Thatë, me thyerje të pazakonta dhe guva, ndërsa pas tij zë fill zona e Prespës, e cila është e mbuluar nga pyjet. Për të gjitha këto arsye policia ka qenë mjaft e matur në operacionin e saj, pasi ekzistonin të gjitha gjasat që forcat e policisë të humbnin njerëz. Rreth dy muaj më parë Reshit Adrit kishte humbur djalin e tij. Ky i fundit, ndërsa shërbente si ushtar në Gardën e Republikës, ishte vetëvrarë. Që nga ky çast Reshit Adri kishte pësuar një tronditje të fortë, që sa vinte e i thellohej. Shpesh ai dilte në oborrin e shtëpisë së tij dhe qëllonte me armë. Ndërkohë 2 ditë më parë ai doli duke qëlluar me armë dhe ndërsa kushëriri i tij tentoi t’i hiqte armën, mbeti i vdekur, ndërkohë u plagos dhe një shtetase tjetër. Policia në prononcimin e saj ka qenë mjaft e rezervuar, duke mos deklaruar as kohën e fillimin të operacionit dhe as atë të përfundimit. Madje, ka anashkaluar edhe pistat për të cilat po punon aktualisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›