E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 200 milionë lekë për punëmarrësit në 2009-n

14/01/2009  Planifikimi i fondeve të nxitjes së punësimit

Rreth 200 milionë lekë janë në dispozicion të punëmarrësve që do të aplikojnë gjatë këtij viti për programet e nxitjes së punësimit. Këtij fondi i shtohen edhe projektet e mbartura nga viti i kaluar, që shkojnë rreth 46 milionë lekë. Për programet e reja janë plot 151 645 598 lekë në dispozicion të punëdhënësve. Aktualisht, fondi buxhetor për programet e nxitjes së punësimit është ndarë sipas tre VKM-ve përkatëse dhe zbatohet për 23 rrethe të vendit. Sipas vendimit për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programeve të praktikave profesionale për punëkërkuesit e papunë që kanë mbaruar arsimin e lartë, brenda apo jashtë vendit, synohet përfshirja e punëkërkuesve të regjistruar në institucione publike apo private. Në bazë të këtij vendimi, punëdhënësit publikë janë të detyruar t’i marrin falas në mjediset e tyre këta punëkërkues, në raport me personelin e administratës, sipas skemës për çdo 50 vetë personel, 1 praktikant. Punëdhënësit privatë përfitojnë një financim mujor nga zyra përkatëse e punësimit, në masën 100 për qind të nivelit bazë të pagesës së papunësisë për çdo muaj praktikë të punëkërkuesit. Të njëjtën masë financimi marrin edhe punëkërkuesit e papunë që përfshihen në këtë program. Ndërkaq, me anën e programit të punësimit nëpërmjet formimit në punë, synohet formimi nëpërmjet punës të personave të pakualifikuar profesionalisht. Punëdhënësi përfiton financim në masën 70 për qind të kostove të trajnimit, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe 50 për qind të kostove të trajnimit për ndërmarrjet e mëdha. Kursantët punëkërkues të papunë përfitojnë një pagesë pjesëmarrjeje në kurs në masën 50 për qind të pagesës minimale në shkallë vendi për gjithë kohëzgjatjen e trajnimit. Vendimi për masën dhe kriteret e përfitimit nga programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi, synon përfshirjen në tregun e punës të personave që janë në vështirësi për ta gjetur atë. Punëdhënësi që në këtë rast punëson me kontratë njëvjeçare, punëkërkues të papunë në vështirësi, përfiton një financim në masën 100 për qind të sigurimeve shoqërore, pjesa e punëdhënësit dhe financim për katër muaj të pagës minimale në shkallë vendi.

INSTAT: 185 mijë të papunë

Plot 185 mijë të papunë rezultojnë në vendin tonë, sipas të dhënave të INSTAT-it. Shkalla e papunësisë, sipas specialistëve është 13.5 për qind, por ky treguar është më i lartë në grup-moshën deri në 30 vjeç. Ndërkaq, shifra e të punësuarve arrin në 1,118 mijë të punësuar, ose 88 për qind e popullsisë në moshën 15-64 vjeç, pra të popullsisë aktive. Të dhënat janë bërë publike pas një anketimi specifik të kryer për herë të parë nga INSTAT në lidhje me forcën e punës në vend. Sipas anketimit, rezulton se papunësia te meshkujt e grup-moshës deri në 29 vjeç është më e lartë në krahasim me femrat. E kundërta ndodh me grup-moshën nga 35-49 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›