Kapet pas arratisjes,i dënuari në Burrel
BURREL - Merr leje, arratiset i burgosuri në Burrel. Shkëlqim Skënderi, 32 vjeç i dënuar për një grabitje të kryer në Maqedoni në dhjetor të vitit 2007, ka kërkuar leje shpërblyese pak ditë më parë nga autoritetet e burgut. Pasi i është firmosur leja 48-she ai është larguar për në banesën e tij në Bulqizë, por nuk është kthyer sërish në burg. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohuan dje se leja për Skënderin përfundonte në orën 16:00 të pasdites së djeshme, kohë pas së cilës autoritetet e burgut kanë njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme dhe më pas Policinë dhe Prokurorinë e Matit. Të njëjta burime pohojnë se 32 vjeçari nga fshati Gjoriocë i Dibrës është dënuar 10 vjet burg në Maqedoni pasi ka kryer një grabitje të dhunshme me armë në vitin 2007. Pas dënimit të tij, autoritetet maqedonase të drejtësisë kanë dërguar dokumentet në ngarkim të Skënderit në Tiranë, prej nga ka dalë urdhër-arresti për ndalimin e tij. Më 14 dhjetor të vitit 2007 ai ka rënë në prangat e policisë, ndërsa i është njohur dënimi me 10 vjet burg. Deri mëngjesin e së hënës kur i është dhënë leja, ai kishte shlyer rreth 3 vjet burg ndërkohë që i kishin mbetur për të përfunduar dënimin edhe 7 vite të tjera, të cilat sipas vendimit të gjykatës duhet t’i vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Dje në mbrëmje rreth orës 22:00, i dënuari Shkëlqim Skënderi është arrestuar nga forcat e policisë pas disa orësh kërkime për kapjen e tij. Pas ndalimit ndaj tij, policia filloi veprimet proceduriale për akuzën e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit. fa.ma.