“Mbrëmje Gala” nga nxënësit e Shkollës së Baletit
Nga Don Kishoti, tek vallja myzeqare, tek Karmeni e Piter Pani. Një mbrëmje emocionuese kanë ofruar mbrëmë nxënësit e Shkollës Kombëtare të Koreografisë në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një program i ngjeshur prej dy orësh, ku u ofruan 24 pjesë koreografike nga veprat më të bukura të repertorit botëror dhe shqiptar. Sipas drejtoreshës së Shkollës së Baletit dhe udhëheqëses artistike të koncertit, Blerina Arbana, në çdo fund viti akademik, zhvillohet “Mbrëmja Gala”, ku nxënësit e baletit shfaqin talentin e tyre dhe përgatitjen vjetore. E bashkë me punën e tyre doli në pah edhe puna e pedagogëve. “Ndryshe nga herët e tjera, kur krijohej një ansambël artistik me talentet e çdo klase dhe bëhej një shfaqje e përbashkët, këtë vit është përfshirë gjithë shkolla. çdo pedagog ka punuar me klasën e tij dhe është përzgjedhur repertori më i bukur botëror”, thotë Arbana, teksa shton se është vepruar në këtë mënyrë për t’u dhënë mundësi të gjithë nxënësve të përballen me skenën dhe të promovohen. Dhe kjo ndihej mes të rinjve, të cilët të veshur me tutu, apo veshje popullore, mezi prisnin të dilnin në skenë. Emocioni, droja e padurimi gërshetoheshin së bashku. Por më shumë rëndësi u ishte dhënë maturantëve, të cilët tanimë janë gati të interpretojnë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Janë ata që hapën mbrëmjen me “ëndrrën” nga “Don Kishoti” dhe e mbyllen me pjesën e “Dasmës” nga po kjo vepër. Sipas drejtoreshës Arbana, ky koncert ishte edhe një lloj provimi për ta, pasi në sallë, krahas prindërve e publikut të thjeshtë, ishin të pranishëm emra të njohur koreografësh e balerinësh, të cilët ndërkohë edhe shënjonin më të mirët, që shumë shpejt do të jenë pjesë e trupës së TKOB-it. Pas një periudhe tranzicioni, së cilës nuk i shpëtoi asnjë institucion shqiptar, Shkolla e Baletit i është kthyer seriozitetit të dikurshëm. Janë rikthyer sërish puantet, të cilat për ca kohë u quajtën demode, ndërkohë që kërcimi modern tanimë mbështetet në metodologji të mirëfillta mësimore. është mësuesja e re, Anila Vasjari, e cila pas një shkëputjeje është kthyer sërish në shkollë pas një specializimi dhe që jep këtë lëndë dhe një pjesë kontemporane, ishte mbrëmë e pranishme në koncertin “Gala”. Koncerti u mundësua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.