E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tajlandë, dështon protesta,ushtria thyen barrikadat



Autoritetet e Tailandës kanë vendosur orën policore në Bangkok, pasi protestuesit këmishëkuq u dorëzuan, ndërsa trupat e ushtrisë shkatërruan barrikadat e tyre gjatë natës. Rreth 20 zjarre janë shkaktuar në qytetin e 15 milionë banorëve. Disa protestues qëndruan ende të rrugë me gjithë lutjet e liderëve të lëvizjes antiqeveritare që ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Rreth 40 persona kanë humbur jetën në ditët e fundit, ku gjashtë u vranë të mërkurën. Mes tyre edhe një fotoreporter italian. Zjarret janë vënë në pika këmbimi, banka dhe dyqane. Rreth 900 policë dhe ushtarë kanë shoqëruar zjarrfikësit për të shuar flakët e mëdha që përfshinë qytetin dhe “Central World”, një nga qendrat tregtare më të mëdha të Azisë juglindore. Po ashtu, edhe selia e televizionit “Channel 3” ku 130 punonjësit u evakuuan me helikopter. Kryeministri Abhisit Vejajiva u shpreh i vendosur për “t’u dhënë fund problemeve dhe të rikthejë vendin në paqe përsëri”. Ora policore, e para e vendosur në qytet në 15 vitet e fundit, dot nisë nga ora 20:00 e pasdites dhe deri në 06:00 të mëngjesit. Qeveria ka urdhëruar televizionet të transmetojnë vetëm programe të pranuar zyrtarisht. Ora policore është vendosur në të paktën 21 qytete të vendit. Me vendosjen e orës policore, arrestimin e liderëve të protestës dhe shkatërrimin e bazës së protestuesve, Qeveria tajlandeze ka evituar viktima të tjera. Por problemet e saj nuk kanë marrë fund këtu. Ndërhyrja e ushtrisë ka ngjallur zemërim në rajone të tjera të vendit. Thuhet se tashmë trazirat kanë nisur në veri dhe veç kësaj, një tjetër grup në kryeqytet, i cili thotë se nuk ka lidhje me këmishëkuqtë, thotë se do të vazhdojë luftën e tij kundër Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›