Magjistratura, tarifë 100 mijë lekë për kandidatët
Trazhgim Sokolaj
Të gjithë studentët e Juridikut të cilët pas përfundimit të studimeve në këtë Fakultet duan të vazhdojnë arsimin në Shkollën e Magjistraturës duhet të paguajnë një tarifë prej 100 mijë lekë në fillim të vitit shkollor. Taksa e shkollimit në Magjistraturë është vendosur nga Qeveria me një vendim, i cili është propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Drejtësisë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë vendimi për vendosjen e tarifës së shkollimit në Magjistraturë është marrë nga Qeveria në datën 31 mars 2010 dhe ka hyrë në fuqi menjëherë. Vendimi parashikon derdhjen e një shume prej 100 mijë lekë të reja nga çdo student i regjistruar në Shkollën e Magjistraturës në fillim të vitit. Sipas vendimit në fjalë, studenti i nënshtrohet pagesës së tarifës së studimit në Shkollën e Magjistraturës vetëm një herë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 26, pikat 1,2,3 e 75 të ligjit nr.9741 datë 21 maj 2007, “për arsimin e lartë” të ndryshuar dhe me propozim të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi: Tarifa për studimet në Shkollën e Magjistraturës të jetë 100 mijë lekë. Në vendim thuhet se studenti i nënshtrohet tarifës vetëm një herë në fillim të ciklit 3-vjeçar të studimeve ndërkohë që ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Shkolla e Magjistraturës për zbatimin e vendimit. Kjo është hera e parë e vendosjes së tarifës së studimeve në Shkollën e Magjistraturës e cila përgatit studentët e Juridikut në profile të ndryshme të cilët janë kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë të vendit. Studimet në Shkollën e Magjistraturës zgjasin katër vjet, pranimi bëhet me konkurs ndërsa në përfundim të tyre, studenti hyn në listën e kandidatëve për tu emëruar në Gjykatë ose në Prokurori. Deri në fillim të këtij viti akademik, studimet në Shkollën e Magjistraturës kanë qenë pa tarifë shkollimi madje kandidatëve që fitonin konkursin e pranimit u ofrohej një shtesë në page prej 40 mijë lekë të reja, në rast se ishin në mardhënie pune si pjesëtarë të organeve të drejtësisë në funksione nën prokurorin, si oficerë të policisë gjyqësore apo si ndihmës gjyqtarë. Vendosja e tarifës së studimeve në Magjistraturë është bërë në kuadër të nxitjes së vetëfinancimit të këtij institucioni të arsimimit juridik.