Në Teatrin e “Metropolit”, dy premiera në një ditë
alma mile
Secili prej tyre e gjen një mënyrë për t’iu shmangur realitetit. Dikush i jep fund jetës, një tjetër preferon të jetë thjeshtë dhe vetëm një “varëse rrobash”. E palëvizshme, e mbyllur, pa preokupime. Sot, brenda një dite në Teatrin e “Metropolit” do të shfaqen dy vepra italiane. Të dyja në zhanrin “komedi e zezë” dhe që vërtitet rreth fatit të të rinjve në një botë, që të përplas derën në fytyrë e nuk të jep shumë rrugëzgjidhje. Bëhet fjalë për komedinë “Jashtë bie botë” të dramaturgut Vicenzo Salemme, me regji nga Najada Elmazi, përkthyer nga Hervin çuli dhe “Varësja e rrobave” e Mario Alessandro Paolelli, me regji të Guri Koçit.
“Jashtë bie borë”
“Jashtë bie borë” është shfaqur tre vjet më parë në skenën e Teatrit Kombëtar, nën interpretimin e aktorëve të njohur të TK-së, Fatos Sela, Roland Trebica, Hervin çuli, njëkohësisht edhe regjisor i shfaqjes e Suela Konjari, ndërsa kësaj here, ajo vjen në sallën “çehov” të Teatrit të “Metropolit”, nën regjinë dhe interpretimin e një kasti më të ri në moshë, por që gjithsesi kanë krijuar profilin e tyre artistik. Mund të përmendim këtu aktorët Gentian Zenelaj dhe Ervin Bejleri, të cilët tashmë janë figura të njohura për publikun shqiptar, përmes interpretimeve në skenën e teatrit, por edhe në spektakle humori, në disa ekrane të rëndësishme televizive. “Jashtë bie borë” na rrëfen historinë e tre vëllezërve, të cilët i ribashkon testamenti pas vdekjes së nënës së tyre. çiço (Francesco) është vëllai i vogël i sëmurë, Enzo, një kompozitor në depresion, që është larguar qysh 18 vjeç nga shtëpia dhe Stefani, djali më punëtor, që i ka qëndruar gjithnjë pranë nënës dhe çiços, por që është në prag të depresionit për shkak të së fejuarës, me të cilën duhet të martohet shumë shpejt. Takimi i tre vëllezërve për të marrë pjesë në leximin e testamentit, pas vdekjes së nënës, merr rrjedha tragjike, kur mësohet se ajo ka vdekur nga një mbidozë morfine, të cilën çiço ia ka injektuar, për t’u dhënë fund vuajtjeve të saj. Pas shumë peripecish që çiço të mos përfundojë në qeli, ai vetë gjen një zgjidhje. Pasi ka hedhur nga një dozë vdekjeprurëse morfine në gotat e të gjithëve, ngre një dolli, duke thënë “teatri mori fund” dhe më pas “ne po ikim”.
“Varësja e rrobave”
Në tragjikomedinë e Mario Alessandro Paolellit na shtohet edhe një vëlla i katërt. “Varësja e rrobave”, me regji të Guri Koços dhe interpretim të aktorëve Genc Fuga, Florian Agalliu, Aldion Matarangasi, nis të shfaqet sot në sallën “Bodrum” të Teatrit të “Metropolit”. Në një shtëpi të thjeshtë jetojnë vëllezërit David, Xhulio, Mimo dhe Anko. Njëri prej tyre, pikërisht David, vuan nga sindroma e të qenit “varëse rrobash”, çka duket se e ka trashëguar nga i ati, që besonte se ishte “nderësja e rrobave të lara”. Ashtu si ati, dhe birin jeta i ka dënuar psiqikisht, i ka trembur me ashpërsinë dhe egërsinë e saj, u ka hequr mundësinë dhe dëshirën për të luftuar e fituar. Vëllai i dytë, i pafuqishëm për t’u përballur me realitetin, është tërhequr dhe mbyllur në dhomë, duke pirë gjithë ditën aq sa në dejet e tij nuk rrjedh më gjak, por alkool. I treti, i papunë, i rrethuar nga vëllezër depresivë, mundohet t’ia dalë mbanë jetës së provincës. Drama e tyre qëndron tek paaftësia për t’u përballur me jetën. Për të thyer notat tragjike të veprës, e gjithë kjo situatë vishet me nota komike. Një pompë e prishur, një frigorifer që bën zhurmë dhe pushon pasi e shqelmojnë, një këst kredie që duhet paguar, një elitë me një intensitet deri në çmenduri, një makinë që ngelet në mes të rrugës, një trafik që të terrorizon, bëhen shkaktarë që dhe dy vëllezërve të tjerë u mbarojnë fjalët, të dorëzohen dhe të kthehen: njëri në tavolinë e tjetri në abazhur. Duke qenë që vetë personazhet “sendëzohen”, skenografia, e cila mban firmën e Lirim Lilës, është ndërtuar mbi elementë të paktë, të cilët vihen në shërbim të konceptit regjisorial. Sipas realizuesve, kjo “komedi e zezë” i shkon për shtat më së miri realitetit shqiptar, ku jo pak të rinj kanë frikë të përballen me realitetin dhe preferojnë të bëjnë një jetë pasive, e duke pritur që gjithçka t’u vijë e gatshme nga të tjerët. Por në të njëjtën kohë nuk është e lehtë për t’u interpretuar, duke qenë që aktorëve u duhet që për një periudhë të gjatë të marrin qëndrime statike.
“Jashtë bie borë”
Autori:Vicenzo Salemme
Regjia:
Najada Elmazi
Përktheu:
Hervin çuli
Interpretojnë:
Gentian Zenelaj,
Ervin Bejleri, Alban Musa dhe Ledion Zoi
Skenografia:
Beqo Nanaj
Kostumografia:
Realda Malo
Data:
20-30 maj 2010 ora 21:00
Salla:
“çehov”
“Varësja e rrobave”
Autori:Mario
Alessandro
Paolelli
Regjia:
Guri Koço
Interpretojnë:
Genc Fuga,
Florian Agalliu,
Aldion Matarangasi
Skenografia:
Lirim Lila
Muzika:
Edi Halulli
Data:
20-30 maj 2010
Salla:
“Bodrum”