E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund estrada e futbollit shqiptar



Ka përfunduar dje kampionati shqiptar i Kategorisë Superiore, duke i dhënë fund kështu një prej sezoneve më të zeza sa u përket tolerimeve dhe trukimeve të ndeshjeve. Padiskutim që faza e tretë e sezonit u shndërrua në një estradë të vërtetë. Java e fundit e Kategorisë Superiore, në fakt ka prodhuar disa rezultate interesante sa i përket fundit të tabelës. është Apolonia, skuadra që do të shoqërojë Gramozin në rënien direkte në Kategorinë e Parë. Fierakët humbën dje pikërisht ndaj kolonjarëve me rezultatin 3-0, por gjithsesi, duke marrë parasysh rezultatet e ndeshjeve të tjera, edhe fitorja në Ersekë nuk e shpëtonte skuadrën e Hasan Likës. Braziliani Marko Dos Santos shënoi një dopietë në këtë takim: 36’ dhe 74’, të shoqëruar me golin e Migel Metanit në të 36’. Ndërkaq, Skënderbeu nuk ka mundur të fitojë ndaj Tiranës, edhe pse korçarët kaluan të parët në avantazh. Pas një barazimi 2-2 ndaj bardhebluve, skuadra e Josës renditet në vendin e dhjetë dhe lajmi i mirë në këtë mes është se bardhekuqtë do të ndeshen në “play-out” me Kamzën, që në letër cilësohet si kundërshtar më i lehtë se Lushnja. Kastrioti, i cili mposhti 1-0 Laçin me golin e Kalarit në minutën e 70-të, siguroi një vend në “play-out” ku do të ndeshet me Lushnjën. Krutanët, mes shumë peripecish këtë sezon arritën që t’i japin një shans të madh vetes, pasi gjatë javëve të fundit kanë qenë ndër më të rrezikuarit. Një ditë feste mund të cilësohet ajo e djeshmja për skuadrën e Teutës, e cila pas një fitoreje 2-0 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” arriti të shmangte ndeshjen e sikletshme të “play-out”-it, duke siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore. Dopieta e Miles në minutat 47’ dhe 50’ do të mbahen mend gjatë jo vetëm nga durrsakët, por edhe nga shkodranët, teksa këta të fundit u detyruan të shihnin se si skuadra e tyre thyej aq lehtësisht në shtëpinë e vet. Tifozët shkodranë kanë kontestuar ashpër lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës. Flamurtari nuk e ka toleruar aspak Shkumbinin në një ndeshje ku të dyja skuadrat luanin për qejf. Ardit Shehaj (30’) dhe Njazi Lena (85’) i çuan shifrat në 2-0, përpara se Migen Memelli (15 gola këtë sezon, prej të cilëve 14 me Flamurtarin) të realizonte 3-0 në minutën e 90-të. Në tri minutat shtesë Shkumbini realizoi dy gola: Klevis Branica (91’) dhe Viktor Gjyla (93’) mbyllën ndeshjen në mënyrë festive. Tiranës ndërkohë i ka mjaftuar një pikë e vetme për të parakaluar Laçin dhe për ta mbyllur kampionatin në vendin e tretë. Skuadra e Starovës përfitoi nga humbja e kurbinasve në Krujë dhe u ngjit një vend më lartë. Golat për Skënderbeun në këtë takim i shënuan Nestoroviç 2’ dhe çajku 48, ndërsa për Tiranën shënuan Abilaliaj 46’ dhe Sorra 49. Dinamo e ka mbyllur me fitore kundër Besës dje, teksa ka mposhtur kavajasit 4-3. Blutë ishin shpallur kamionë prej disa javësh, por ata janë kandidatë për në librin “Gines”, pasi humbën tetë ndeshje radhazi gjatë fazës së tretë. Golat për ekipin e Muçës i shënuan Kuli 41’ Sefa 64’, 82’ dhe Bakaj 69/ Për Besën në këtë takim shënuan Xhafaj 17’, Poçi 52’ (p) dhe Mancaku 64’. Verdhezinjtë e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Poçit në minutën e 70-të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›