E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirret në komisariat për të dëshmuar, rreh policët

Shkon për të dëshmuar në polici, fyen dhe kanos oficerin e policisë gjyqësore dhe dy inspektorë krimesh. Kështu ka ndodhur me një 45-vjeçar nga Patosi, i cili ishte thirrur në Komisariatin e Fierit për një sherr të ndodhur në familjen e tij. Por gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka ngurruar që të fyejë dhe godasë me grushte tre uniforma blu. Ngjarja është regjistruar orët e vona të mbrëmjes së të hënës dhe burimet zyrtare pohojnë për gazetën "Shqip" se i kanë vënë prangat shtetasit Vilson Dane, lindur e banues në Patos.

45-vjeçari Dane ishte denoncuar nga kunata, e cila rreth orës 20:00 të së hënës ka thënë në polici se Vilson Dane e kishte dhunuar duke i shkaktuar plagë të rënda. Kunata ka kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen e policisë, por nuk ka kryer denoncimin. Uniformat blu të Fierit, pasi e kanë vlerësuar denoncimin, njoftuan inspektorin e zonës që të sillte Danen në polici, me qëllim ballafaqimin me denoncuesen dhe marrjen e një deklarate prej tij. Mësohet se 45-vjeçari ka pritur më tepër se tre orë përpara se të bënte ballafaqimin, çka duket se ka rënduar gjendjen psikologjike. Burimet policore tregojnë se pas futjes së Vilson Danes në zyrën e oficerit të policisë gjyqësore, ky i fundit ka kërkuar edhe praninë e dy uniformave të tjera, inspektorë krimesh. Në praninë e tre policëve, Vilson Dane mësohet se jo vetëm që ka fyer të kunatën, por nuk i ka kursyer fyerjet edhe për policët. Sikur të mos mjaftonte kjo, konfirmohet se ai ka qëlluar në drejtim të policëve si dhe i ka kanosur ata. Kolegët e policëve kanë ndërhyrë që situata të mos acarohej, ndërkohë që Dane është prangosur menjëherë. Gjithashtu burimet policore tregojnë se edhe me pranga në duar 45-vjeçari ka vijuar të nxjerrë dufin në drejtim të policëve. Ndaj tij rëndojnë akuzat e "fyerjes" dhe "kanosjes për shkak të detyrës" parashikuar këto akuza nga nenet 238 e 239/2 të Kodit Penal.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›